Piero Hincapie, mbrojtësi ekuadorian, u ndëshkua me karton të kuq në çastet e fundit të humbjes 2-0 ndaj Meksikës, pas një përplasjeje me Santi Gimenez, në zbatim të një rregulli të ri të FIFA-s.
Incidenti ndodhi në minutën e 95-të të sfidës së fazës së 1/16-tës, kur Hincapie u përfshi në një debat verbal me sulmuesin meksikan Santi Gimenez. Me atë disfatë, Ekuadori i dha fund rrugëtimit të tij në turne.
Sipas rregullores së re të vendosur nga FIFA, çdo futbollist që mbulon gojën gjatë një konfrontimi me një kundërshtar duhet të përjashtohet. Kjo masë synon të pengojë fshehjen e mesazheve apo komenteve fyese që mund t’i drejtohen rivalit.
Lojtari i parë që u penalizua mbi të njëjtën bazë ishte përfaqësuesi i kombëtares së Paraguait, Miguel Almiron, i cili u përjashtua në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Turqisë javën e kaluar, dhe duket se Hincapie nuk nxori asnjë mësim nga ai rast.
Ndonëse Ekuadori është eliminuar nga Kupa e Botës, pezullimi i Hincapiet do të vlejë edhe për ndeshjen e ardhshme ndërkombëtare të përfaqësueses së tij.



