Bundesliga

Kane: Rekordi i Ligës Premier mbetet një mundësi, por tani përqendrohem te Bayerni

Harry Kane thotë se thyerja e rekordit historik të golave në Ligën Premier mund të jetë një synim në të ardhmen, por aktualisht nuk është përparësia e tij kryesore. Sulmuesi anglez, që luan për Bayern Munich, u shpreh se vëmendjen e ka të përqendruar te klubi gjerman dhe se ndihet shumë mirë atje.…

Kane: Rekordi i Ligës Premier mbetet një mundësi, por tani përqendrohem te Bayerni

Harry Kane thotë se thyerja e rekordit historik të golave në Ligën Premier mund të jetë një synim në të ardhmen, por aktualisht nuk është përparësia e tij kryesore.

Sulmuesi anglez, që luan për Bayern Munich, u shpreh se vëmendjen e ka të përqendruar te klubi gjerman dhe se ndihet shumë mirë atje. “Për momentin, jam plotësisht i fokusuar te Bayern Munich. Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një trajner fantastik, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur këtu”, tha Kane në një intervistë për Sport Bild.

33-vjeçari theksoi se skuadra ka synime të rëndësishme përpara: të fitojë Ligën e Kampionëve, të ruajë epërsinë në Bundesligë dhe të mbrojë trofetë e fituar sezonin e kaluar. “Kemi ende objektiva të tjera me Bayernin dhe duam të arrijmë gjëra të reja. Synojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, të vazhdojmë të dominojmë Bundesligën dhe t’i mbrojmë trofetë që fituam sezonin e kaluar”, deklaroi ai.

Kane nuk e mbylli derën ndaj një rikthimi të mundshëm në futbollin anglez, ku do të mund të synonte rekordin e golave në kampionat. “Gjatë karrierës dhe jetës sime kam mësuar se nuk mund ta kontrollosh gjithmonë gjithçka vetë. Ndonjëherë duhet thjesht t’i lejosh gjërat të ndodhin, të besosh te vetja dhe të vazhdosh të punosh fort”, u shpreh ai.

“Ky është prioriteti im tani. Nuk do ta përjashtoja kurrë mundësinë për ta thyer rekordin historik të golave në Ligën Premier në një moment të karrierës sime, por aktualisht nuk është fokusi im kryesor”, shtoi Kane.

Alan Shearer mban rekordin e Ligës Premier me 260 gola. Para transferimit te Bayern Munich në vitin 2023, Kane kishte shënuar 213 gola në këtë kampionat.