Kombëtaret

Hidhet sot shorti i “EURO U-21 2027”, Shqipëria pret të mësojë kundërshtarët nga Beogradi (ORGANIZIMI NË DETAJE)

Kjo e enjte shënon një moment kyç për Shqipërinë. Në orën 18:30, nga kryeqyteti serb, do të tërhiqet shorti që përcakton ndarjen në grupe të Kampionatit Evropian 2027 për lojtarët nën 21 vjeç, një turne që për herë të parë do të organizohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia, si vendet pritëse.…

Hidhet sot shorti i “EURO U-21 2027”, Shqipëria pret të mësojë kundërshtarët nga Beogradi (ORGANIZIMI NË DETAJE)

Kjo e enjte shënon një moment kyç për Shqipërinë. Në orën 18:30, nga kryeqyteti serb, do të tërhiqet shorti që përcakton ndarjen në grupe të Kampionatit Evropian 2027 për lojtarët nën 21 vjeç, një turne që për herë të parë do të organizohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia, si vendet pritëse.

Të dyja federatat fituan të drejtën e organizimit pas një gare të hapur të shpallur nga UEFA në shkurt të vitit 2025. Ky eveniment do të shtrihet nga data 16 qershor deri më 3 korrik të vitit të ardhshëm, me ndeshjet që do të zhvillohen në tetë stadiume të shpërndara në shtatë qytete mikpritëse.

CEREMONIA DHE PREZANTUESIT

Shorti do të prezantohet nga Arjola Shehu, moderatorja shqiptare, e cila do të ndajë skenën me Stefan Popovic, aktorin dhe gazetarin me origjinë serbo-braziliane.

AMBASADORËT

Përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë rol do të jetë Bekim Balaj, sulmuesi i Vllaznisë dhe ish-lojtar i Kombëtares kuqezi. Krahas tij, si ambasadorë të tjerë janë përmendur Gojko Kacar, ish-futbollist i Serbisë, Ryan Babel, ish-lojtar i Holandës, si dhe Cristiano Zaccardo, ish-mbrojtësi italian.

STADIUMET NË SHQIPËRI

Për zhvillimin e këtij turneu, janë përzgjedhur këto impiante sportive ku do të luajnë ekipet pjesëmarrëse: “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, si dhe “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” jashtë kryeqytetit.

KUALIFIKIMI

Faza kualifikuese për Kampionatin Evropian UEFA U21 ka përfunduar, me dhjetë kombëtare që siguruan biletën për në fazën finale përmes grupeve dhe katër të tjera që kaluan nga ndeshjet e play-off-it, për t’u bashkuar me organizatoret Shqipërinë dhe Serbinë. Belgjika, Kroacia, Anglia (kampione në fuqi), Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Portugalia dhe Spanja fituan grupet e tyre përkatëse, duke u kualifikuar në fazën finale që do të mbahet nga 16 qershori deri më 3 korrik.

Në listën e skuadrave të kualifikuara nga grupet bën pjesë edhe Polonia, e cila u rendit e para midis ekipeve të vendosura në vendin e dytë, pa llogaritur rezultatet kundër skuadrave që përfunduan në pozitën e gjashtë.

Tetë ekipet e tjera që u renditën në vendin e dytë dhe kaluan në play-off ishin Çekia, Danimarka, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Republika e Irlandës dhe Turqia. Pas përfundimit të ndeshjeve play-off, Çekia, Finlanda, Greqia dhe Holanda siguruan pjesëmarrjen në fazën finale.