Portieri i Curaçaos, Eloy Room, ishte protagonisti kryesor i barazimit 0-0 kundër Ekuadorit në Kupën e Botës 2026, duke dhuruar një performancë historike në portë.
37-vjeçari realizoi plot 15 pritje në takimin e luajtur në Kansas City Stadium, një shifër që përbën maksimumin e regjistruar në një ndeshje të Kupës së Botës (që prej vitit 1966) që nuk ka shkuar në shtesa.
Rekordi i mëparshëm me 15 pritje mbahej nga Tim Howard, i cili e kishte vendosur atë përballë Belgjikës në vitin 2014, por në një ndeshje që zgjati 120 minuta.
Room u bë gjithashtu portieri i pestë nga zona e CONCACAF-it në 50 vitet e fundit që regjistron nëntë ose më shumë pritje në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës, duke iu bashkuar emrave si Guillermo Ochoa, Tony Meola, Tim Howard dhe Brad Friedel.
Pas përfundimit të ndeshjes, veterani nuk e fshehu krenarinë për atë që arriti skuadra e tij.
“Për ne do të thotë gjithçka. Ndihet si një fitore. Është pika jonë e parë në Kupën e Botës dhe kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme”.
“Është e pabesueshme rruga që kemi bërë për të ardhur deri këtu. Treguam se kemi zemër të madhe dhe është një ndjesi e jashtëzakonshme”.
“E dija që kisha bërë shumë pritje. E dija se bëhej fjalë për një rekord të vjetër, ndaj jam vërtet krenar”.
“Pritja e parë më dha besim. E kuptova se do të ishte një ndeshje shumë e ngarkuar për mua”.
“Jam pak i zhgënjyer sepse edhe ne patëm rastet tona për të shënuar. Megjithatë, për ne kjo ndihet si fitore”.
“Besoj se edhe pas 40 vitesh do ta kujtoj këtë natë. Do të jetë diçka e çmendur. Mendoj se tani kam nevojë për një statujë në Curaçao”, deklaroi Room me humor.
Nga ana tjetër, Ekuadori regjistroi 15 goditje në kuadrat, shifra më e lartë për një përfaqësuese të Amerikës së Jugut në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 1966, por pa arritur të gjejë golin përballë një Eloy Roomi të jashtëzakonshëm./


