Flamurtari ka pasur një ditë shumë aktive, teksa klubi vlonjat ka bërë zyrtare edhe afrimin në ekipin e parë të katër futbollistëve të rinj të ardhur nga akademia e tij.
Në njoftimin e publikuar, “kuqezinjtë” bëjnë me dije se në skuadrën e parë janë promovuar mbrojtësi Hizdion Sulejmani, sulmuesi Gazmend Llajaj, mesfushori Bjori Diku dhe portieri Fjoraldo Bejdollari.
Ky zhvillim tregon se te Flamurtari fokusi nuk është vetëm te afrimet cilësore dhe emrat e spikatur që i vihen në dispozicion trajnerit Oltijon Kërnaja, por edhe te elementët që rriten brenda klubit, si pjesë e vizionit për të ndërtuar të ardhmen.
Skuadra vlonjate do ta nisë sezonin e ri 2026/27 në Kategorinë e Parë, ndërsa objektivi i klubit, nën drejtimin e një trajneri të provuar në Superiore me Partizanin, mbetet rikthimi në elitë në edicionin 2027/28.
NJOFTIMI:
“Flamurtari F.C. vazhdon t’i japë rëndësi zhvillimit të talenteve të rinj, duke promovuar në ekipin e parë katër futbollistë të dalë nga Akademia kuqezi, të cilët kanë firmosur kontrata afatgjata me klubin.
Lojtarët e promovuar:
• Hizdion Sulejmani – Mbrojtës
• Gazmend Llajaj – Sulmues
• Bjori Doku – Mesfushor
• Fjoraldo Bejdollari – Portier
Të katër lojtarët kanë firmosur kontrata 4-vjeçare, duke konfirmuar besimin e klubit te potenciali i tyre dhe projekti afatgjatë me Akademinë e Flamurtarit.
Ky promovim është dëshmi e punës së vazhdueshme të Akademisë së Flamurtarit dhe e filozofisë së klubit për të ndërtuar të ardhmen mbi talentet vendase.
Klubi u uron mirëseardhje në ekipin e parë dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre me fanellën kuqezi!”


