Java e 12-të e Superiores u mbyll me barazimin 0-0 mes Vorës dhe Tiranës, ndërsa “Newsport” ka përzgjedhur formacionin e lojtarëve që spikatën më shumë, së bashku me trajnerin më të mirë të kësaj jave. Elbasani është skuadra me përfaqësimin më të madh, pasi ka lojtarë në portë, mbrojtje dhe sulm.
Formacioni është ndërtuar në skemën 3-4-3. Në portë është vendosur Igor Aelskovski i Elbasanit, i cili zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme dhe u shpall Lojtari i Ndeshjes. Me pritjet e tij vendimtare dhe sigurinë e treguar, ai ndihmoi verdheblutë të merrnin fitoren ndaj Dinamos.
Reparti difensiv plotësohet nga Erdenis Gurishta i Vllaznisë, Georgios Lagonidis i Skënderbeut, autor i golit që i dha fitoren skuadrës së tij ndaj Egnatias, si dhe Bruno Lulaj i Elbasanit, i cili pati një ndikim të rëndësishëm në ekipin e tij.
Në mesfushë janë përfshirë Basilio Ndong i Tiranës, Dejvid Janaqi i Skënderbeut, Sherif Kallaku i Teutës dhe Henri Zuna i Vorës. Të katër lojtarët kontribuuan në mënyrë të çmuar për skuadrat përkatëse, ndërsa Janaqi dhe Zuna u dalluan veçanërisht me paraqitjet e tyre.
Reparti ofensiv përbëhet nga Atdhe Mazari i Elbasanit, Bekim Balaj i Vllaznisë dhe Pedro Martelo i Teutës. Të tre sulmuesit shënuan në fitoret minimale të skuadrave të tyre.
Çmimi i trajnerit më të mirë të javës i është dhënë Glen Dajës. Elbasani triumfoi 1-0 falë një organizimi të menduar mirë në aspektin taktik.
Që prej marrjes së drejtimit të skuadrës, Daja ka sjellë një ndryshim të dukshëm te verdheblutë, duke i bërë më të konsoliduar dhe duke ndikuar në përmirësimin e rezultateve.
