Egnatia zbret sot në fushë për ndeshjen e tretë dhe njëkohësisht të fundit miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, teksa kampionët e Superiores do të masin forcat me skuadrën rumune FC Botosani.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë rrogozhinasit me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku saktësohet se sfida do të luhet në stadiumin “Bansko Arena” të Bullgarisë dhe do të nisë në orën 16:00 me orën lokale të vendit tonë.
Për ekipin e drejtuar nga Nevil Dede, kjo përballje përbën një tjetër provë të vlefshme për të rritur ritmin e lojës, pak para angazhimit të parë zyrtar të sezonit, që do të jetë në raundin e parë të Champions League ndaj moldavëve të FC Petrocub.
Kujtojmë se takimi i parë do të zhvillohet në Rumani më 8 qershor, në orën 19:00, ndërsa ndeshja e kthimit është planifikuar për më 15 qershor në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, duke nisur në orën 21:00.


