Dy rezultate të dobëta që ka marrë Manchester United këtë sezon, nuk janë pritur aspak mirë nga aksionari i ri Sir Jim Ratcliffe sipas raportimeve të fundit.
Të shtunën, United bëri një paraqitje të dobët në barazimin me rezultat 1-1 ndaj Brentfordit.
Të besuarit e Ten Hag u dominuan për pjesën më të madhe të ndeshjes nga kundërshtari i cili po rrezikon rënien nga elita këtë sezon.
Teksa dukej se ata do të ‘rrëmbenin’ fitoren falë një goli të Mason Mount në minutat shtesë të takimit, Brentfordi barazoi shifrat në 1-1 me golin e shënuar në minutën e 99-të nga Kristofer Ajer.
Sipas asaj që raporton The Telegraph, ky barazim është në mesin e dy ndeshjeve që nuk janë pritur aspak mirë nga aksionari i ri Ratcliffe dhe ekipi i tij Ineos.
Ndeshja tjetër sipas raportit është humbja e “Djajve të Kuq” me rezultat 2-1 ndaj Fulhamit në shtëpi rreth pesë javë më parë.
E ardhmja e Ten Hag ka qenë objekt spekulimesh që prej se Ratcliffe mori ‘frenat’ e operacioneve të futbollit në “Old Trafford” gjatë muajit shkurt, ku u raportua se përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, do të jetë zëvendësuesi i tij në stol.
Javën e kaluar tekniku holandez insistoi se ai është mësuar me spekulimet rreth punës së tij, duke shtuar se është pjesë e asaj kur menaxhon një klub të madh.
“Kur je duke punuar tek Manchester United, do të ketë gjithmonë zhurmë dhe thashetheme rreth klubit, ekipit, trajnerit, lojtarëve, do të ketë gjithmonë probleme”, ishte shprehur Ten Hag. /Telegrafi/
sport,Manchester United,Premier League , Manchester United,Premier League