Republika Demokratike e Kongos ka hyrë në histori në Kupën e Botës 2026, pasi për herë të parë ka siguruar kalimin në fazën eliminatore të turneut, falë fitores 3-1 me përmbysje përballë Uzbekistanit.
Takimi nisi në mënyrë të pafavorshme për kongolezët, pasi Uzbekistani mori avantazhin që në minutën e 10-të me Eldor Shomurodov. Më herët, skuadrës uzbeke iu anulua edhe një gol për pozitë jashtë loje.
Kongo u kundërpërgjigj shpejt dhe gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17-të, kur Nathanael Mbuku shënoi një gol të shkëlqyer pas pasimit të Brian Cipengas, por pas rishikimit me VAR, goli u anulua për faull gjatë aksionit.
Në fraksionin e dytë të lojës, ekipi i Sébastien Desabre rriti ndjeshëm ritmin dhe në minutën e 66-të fitoi penallti, pas një ndërhyrjeje të parregullt në zonë nga Abdukodir Khusanov. Nga pika e bardhë, Yoane Wissa nuk gaboi dhe riktheu baraspeshën në 1-1.
Kthesa vendimtare ndodhi në minutën e 78-të, kur tentativa e Meschack Elias u devijua nga Fiston Mayele dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë Kongos epërsinë 2-1.
Në minutën e parë të shtesës, Wissa shënoi sërish, këtë herë pas asistimit të Elias, dhe vulosi fitoren 3-1 me golin e tij të dytë personal.
Falë këtij suksesi, Republika Demokratike e Kongos e mbyll fazën duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës nga vendi i tretë me 4 pikë, ndërsa Uzbekistani e përfundon rrugëtimin e tij në turne pas një paraqitjeje dinjitoze në fazën e grupeve.


