Paraqitjet e Gabriel Kullës me Sassuolo U20 kanë bërë që sulmuesi i Shqipërisë U19 të tërheqë interesin e klubeve të mëdha evropiane. Mes tyre është edhe Borussia Dortmund, skuadra e Bundesligës.
Mediet gjermane, përfshirë “Fussballeuropa”, raportojnë se klubi verdhezi ka nisur kontaktet me ekipin italian për të diskutuar transferimin e 18-vjeçarit.
Kulla ka zbritur këtë sezon edhe në fushë me ekipin e parë të Sassuolos në Serie A, ku ka regjistruar 2 paraqitje. Sipas “Transfermarkt”, vlera e kartonit të tij është 1.40 milionë euro.
Me Sassuolo Primavera, sulmuesi ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 1 asist në 9 ndeshje gjatë këtij sezoni.
Një transferim i mundshëm te Dortmund do t’i krijonte Kullës një mundësi të rëndësishme për t’u afirmuar në futbollin evropian, pasi klubi gjerman njihet për mbështetjen që u jep talenteve.
