Kevin De Bruyne mund të rikthehet në futbollin anglez vetëm një vit pas largimit nga Manchester City, pasi lista e klubeve të interesuara për të po zgjerohet.
Pas Evertonit, edhe Brentfordi, Fulhami dhe Crystal Palace kanë shfaqur interes për mesfushorin belg, i cili aktualisht luan për Napolin.
Të tre klubet janë informuar për mundësinë e transferimit të 35-vjeçarit, ish-lojtarit të Manchester Cityt.
Gjatë dhjetë viteve të kaluara në Manchester, De Bruyne u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të Ligës Premier. Në 422 paraqitje, ai regjistroi 285 kontribute në gola.
Me skuadrën angleze, belgu fitoi thuajse çdo trofe të mundshëm, përfshirë tripletën historike të vitit 2023. Për këtë arsye, ai vlerësohet si një prej mesfushorëve më të mëdhenj në historinë e klubit dhe të kampionatit anglez.
Kalimi te Napoli, megjithatë, nuk ka rezultuar aq i suksesshëm sa pritej. Dëmtimet dhe problemet fizike gjatë sezonit të parë e kufizuan në vetëm 21 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa në atë periudhë pati edhe një konflikt të fortë me ish-trajnerin Antonio Conte.
Nën drejtimin e Max Allegrit, gjendja e tij është përmirësuar në njëfarë mase. Këtë edicion De Bruyne ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime në të gjitha kompeticionet, por e ardhmja e tij ende mbetet e pasigurt.
Javën e kaluar u bë e ditur se Evertoni kishte kontaktuar fillimisht përfaqësuesit e futbollistit, me synimin për ta rikthyer atë në Angli.
Sipas TEAMtalk, De Bruyne nuk e përjashton një kthim në futbollin anglez. Ky qëndrim ka bërë që në garë të përfshihen edhe Brentfordi, Fulhami dhe Crystal Palace.
Ende nuk dihet nëse klubet londineze do të kalojnë në hapa konkretë për transferimin e tij, pasi një lëvizje e tillë do të sillte vështirësi si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv.
Fulhami dhe Crystal Palace, sidomos, po përballen me luftën për mbijetesë në pjesën e poshtme të tabelës së Ligës Premier. Për këtë arsye, ato mund t’i ofrojnë De Bruyne vetëm një kontratë afatshkurtër, e cila pritet të përmbajë edhe klauzola mbrojtëse në rast të rënies nga elita angleze.
