Dani Olmo rezultoi ndër futbollistët më përcaktues të Spanjës në përballjen ndaj Arabisë Saudite, pasi ndikoi drejtpërdrejt në shpejtimin e qarkullimit të lojës dhe i dha më shumë vertikalitet skuadrës.
Me një paraqitje të sigurt në mesin e fushës, mesfushori spanjoll spikati për qetësinë dhe saktësinë në shpërndarjen e topit. Në pjesën e parë ai nuk gaboi asnjë pasim, tregues i kontrollit të plotë që pati gjatë lojës.
I pozicionuar mes linjave, Olmo krijoi vazhdimisht hapësira për bashkëlojtarët, duke e bërë Spanjën më të lëvizshme dhe më të rrezikshme në ndërtimin e sulmeve.
Kontributi i tij u pa edhe te goli i tretë i Spanjës, ku ai shërbeu asistin për Mikel Oyarzabal.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi Luis de la Fuente foli me vlerësim për rolin e tij, duke e përshkruar si “mjeshtër mes linjave” për aftësinë që ka të lidhë repartet dhe të ndryshojë ritmin e lojës.
Sa i përket statistikave, Olmo e mbylli pjesën e parë me 100% saktësi në pasime, ndërsa në fund të takimit kishte regjistruar rreth 90% saktësi, duke lënë gjurmë të qarta në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Edhe vetë lojtari u shfaq i kënaqur pas sfidës, duke theksuar se ndihet mirë në rolin e tij dhe se është i gatshëm të ndihmojë ekipin në vazhdimin e turneut.
Me Olmon në formë të plotë, Spanja duket se ka fituar një element shumë të rëndësishëm në mesfushë.


