Kombëtarja e Kroacisë u mund 4-2 nga Anglia në ndeshjen e parë të Grupit L në Kupën e Botës, të luajtur në Arlington, në një përballje me intensitet të lartë dhe shumë emocione.
Anglezët kaluan në avantazh që në minutën e 12-të, kur Harry Kane shënoi nga penalltia, pas një episodi të debatueshëm ku Dominik Livaković e ndali fillimisht goditjen, por ajo u përsërit për shkak se portieri kishte dalë para kohe nga vija e portës. Në tentativën e dytë, Kane nuk gaboi dhe realizoi për 1-0.
Kroacia reagoi në minutën e 36-të, kur Petar Sučić krijoi epërsi në krah dhe asistoi për Martin Baturinën, i cili shënoi bukur nga distanca për 1-1. Sidoqoftë, vetëm pak minuta më pas, Anglia rimori epërsinë. Declan Rice harkoi nga goditja e këndit dhe Kane realizoi me kokë për 2-1 në minutën e 42-të.
Emocionet e pjesës së parë vazhduan edhe më tej. Në minutën e pestë shtesë, Kroacia barazoi për herë të dytë. Pašalić nisi një top të gjatë drejt Perišićit, i cili e devijoi për Musën që shënoi nga afër për 2-2.
Në pjesën e dytë, Anglia e mori në dorë ndeshjen. Jude Bellingham realizoi për 3-2 pas një reagimi të dobët të mbrojtjes kroate në fillim të kësaj pjese, ndërsa Marcus Rashford në minutën e 85-të vulosi fitoren me golin për 4-2.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalić, pranoi se skuadra e tij pati vështirësi në pjesën e dytë dhe nuk arriti të reagonte në momentet kyçe.
“Ishte e vështirë të riktheheshim në lojë”, tha Dalić pas ndeshjes.
“Kjo ndeshje përcakton rrjedhën e kampionatit dhe nuk është mirë kur e humbet. Dy ndeshjet e ardhshme janë shumë më të rëndësishme për ne dhe duhet të përgatitemi mirë. Nuk ishim keq, por i paguam shtrenjtë gabimet tona”, u shpreh ai.
“Në pushim ishim në gjendjen tonë më të dobët, pësuam dy gola. Po riktheheshim, por goli i tretë na vrau. Pas kësaj, nuk kishte më rrugë kthimi”, shtoi më tej.
I pyetur nëse ishte i kënaqur me fazën sulmuese, ai u përgjigj: “Pati disa gjëra shumë të mira, por kundër Anglisë nuk mund të hapesh krejtësisht. Kjo u pa në fund, kur ata shënuan golin e katërt”, përfundoi Dalić.


