Portieri Thibaut Courtois ka treguar se në të kaluarën ka pasur përplasje me Jose Mourinhon, por ka nënvizuar se vazhdon ta çmojë qasjen e drejtpërdrejtë të trajnerit portugez në menaxhimin e futbollistëve.
Mourinho u zyrtarizua këtë muaj si trajneri i ri i Real Madridit, duke u rikthyer në “Santiago Bernabeu” pas aventurës së tij të parë mes viteve 2010 dhe 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi një titull të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit.
Sidoqoftë, kthimi i 63-vjeçarit nuk është pritur me të njëjtin entuziazëm nga të gjithë, pasi shumë tifozë dhe analistë vijojnë të kenë dyshime për personalitetin e tij të fortë dhe metodat që përdor në punë.
Courtois, i cili ka bashkëpunuar me Mourinhon te Chelsea, tha se marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë e mirë, edhe pse nuk kanë munguar disa mosmarrëveshje.
“Mourinho është një trajner shumë i drejtpërdrejtë. Edhe unë jam i tillë. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë shumë e mirë”.
34-vjeçari solli në kujtesë edhe një episod nga koha te Chelsea, kur Mourinho vendosi ta linte në stol pas një paraqitjeje jo të mirë.
“Kemi pasur edhe përplasjet tona herë pas here”, tha Courtois duke qeshur.
“Për shembull, ai më la në stol kundër Evertonit sepse në ndeshjen e mëparshme ndaj Aston Villas kisha gabuar në dy topa të krosuar. Ishte mënyra e tij për të më provokuar. Javën pasuese u riktheva në portë kundër West Hamit dhe bëra pesë ose gjashtë pritje vendimtare”.
Në të njëjtën konferencë, portieri belg foli edhe për të ardhmen e tij, duke pranuar se dëshira e tij është ta mbyllë karrierën te Real Madridi.
“Për mua, ideale do të ishte ta përfundoja karrierën në Madrid”.
“Te Real Madridi është parim që pas moshës 30-vjeçare kontratat të rinovohen vit pas viti, ndaj jam mjaft i qetë. Nëse vazhdoj të paraqitem si deri tani, rinovimi nuk do të jetë problem. Por Real Madridi është një klub i nivelit më të lartë dhe në një moment do të duhet të mendojë edhe për pasardhësin tim”.
Portieri belg ka kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2027 dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës madrilene./


