Vendimi i mbrojtësit të Malmos, Bleon Kurtulus, për të luajtur me Kosovën ka tërhequr vëmendjen edhe në Suedi, vendin që ai ka përfaqësuar në nivelet e moshave.
19-vjeçari është përfshirë nga përzgjedhësi Franco Foda në listën e Kosovës për dy ndeshjet e nëntorit.
Kurtulus ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja suedeze, ndërsa paraqitjet e fundit me këtë shtet i ka zhvilluar me ekipin U21. Megjithatë, në nivelin ndërkombëtar ai do të vijojë karrierën me Kosovën.
Media suedeze e ka vënë këtë zgjedhje përballë vendimit të vëllait të tij, Edvin Kurtulus. Ky i fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Kosova U21, por më pas nuk pranoi ftesën e ekipit A dhe zgjodhi të përfaqësonte Suedinë.
“Ndërsa vëllai i madh, Edvin Kurtulus, vendosi të luante për Suedinë, Bleoni ka zgjedhur një tjetër drejtim. 19-vjeçari është grumbulluar për herë të parë nga Kosova dhe mund të debutojë në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës”, raportojnë mediat suedeze.
Bleon Kurtulus numëron nëntë ndeshje zyrtare me Suedinë U21, ndërsa paraqitjen e fundit e ka regjistruar më 4 qershor ndaj Finlandës. Tashmë, debutimi i tij në ekipin A mund të vijë në Ligën e Kombeve, por jo me Suedinë, pasi ai është përzgjedhur nga Kosova.
Thirrja e Kurtulus përbën një përforcim të rëndësishëm për Kosovën, pasi aftësitë e tij konsiderohen të padiskutueshme. Disa vite më parë, ai ishte përfshirë nga “The Guardian” në listën e talenteve që pritej të dominonin futbollin evropian gjatë dekadës së re, së bashku me emra si Lamine Yamal, Joan Martinez dhe Pau Cubarsi.
