Sebastian Beccacece i ka dhënë fund me një mesazh emocional aventurës së tij në krye të Ekuadorit, pas humbjes 2-0 kundër Meksikës në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës. Ai pranoi se do të kishte dashur të vazhdonte në këtë post, por tha se nuk i kishte përmbushur premtimet e dhëna.
E mërkura ka nisur me një valë shkarkimesh dhe largimesh trajnerësh nga skuadrat që janë eliminuar dhe nuk kanë përmbushur pritshmëritë.
Mes të fundit që konfirmoi dorëheqjen ishte trajneri argjentinas i Ekuadorit, Beccacece, i cili ishte vlerësuar si surpriza e turneut pas fitores ndaj Gjermanisë dhe kalimit nga grupi.
“Kontrata jonë mbaroi me Kupën e Botës. Nuk besoj se arritëm atë që kishim premtuar: ta bënim këtë Kupë Bote më të mirën e të gjitha kohërave. Sot më takon mua të them lamtumirë”, u shpreh Beccacece pas ndeshjes së humbur.
Ai shtoi se largimi ishte i pashmangshëm: “Për këtë arsye duhet të iki. Do të kisha dashur të vazhdoja, sepse ajo që mora nga lojtarët dhe nga drejtuesit më bindte se kishte hapësirë për të vijuar. Por e kuptoj mënyrën se si funksionon kjo dhe dhemb, megjithatë mendoj se vendimi ishte i qartë”.
Edhe pse eliminimi i shkaktoi zhgënjim, Beccacece u ndal te raporti i veçantë që ndërtoi me skuadrën dhe me vendin gjatë këtij rrugëtimi. Kur u pyet për trashëgiminë që lë pas, ai ia atribuoi meritat lojtarëve: “Trashëgimia është e lojtarëve, sepse ata janë ekipi më i ri në Ekuador”.
Ekuadori kishte mposhtur Gjermaninë 2-1 në raundin e fundit të fazës së grupeve në këtë Kupë Bote. Ata e nisën turneun si një “kalë i errët”, pra një skuadër e aftë të befasojë, edhe për shkak të vendit të dytë në kualifikueset shumë të forta të Amerikës së Jugut.



