Bakary Goudiaby mund të jetë futbollisti i radhës që largohet nga Dinamo. “Newsport.al” bën me dije se mesfushori 24-vjeçar nuk është bashkuar me skuadrën në fazën përgatitore, çka ka shtuar sinjalet për një largim të mundshëm.
Ndonëse është ende nën kontratë me dinamovitët, lojtari ka vendosur të mos i bashkohet grupit. Ky qëndrim ka befasuar drejtuesit e klubit kryeqytetas, aq më tepër duke pasur parasysh rolin e tij si titullar absolut te Ilir Daja.
Senegalezi iu bashkua Dinamos në shtator të vitit 2023, pasi firmosi si lojtar i lirë në një moment kur ishte pa kontratë. Para ardhjes te skuadra blu, ai ka luajtur në Senegal me Stade Mbour dhe Teungueth FC.
Me fanellën e Dinamos, Goudiaby numëron 95 ndeshje në total, duke realizuar 2 gola dhe duke dhënë 3 asiste.










