Austria e nis me triumf Botërorin, mposht Jordaninë 3-1 pas një sfide dramatike

Lajme

Përfaqësuesja e Austrisë e ka hapur me tre pikë rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, pasi fitoi 3-1 ndaj Jordanisë në ndeshjen e parë të Grupit J.

Jordania hyri pa hezitim në takim dhe regjistroi rastin e parë të madh që në minutën e dytë, kur Ehsan Haddad shfrytëzoi një top të mbetur në zonë, por tentativa e tij shkoi shumë pranë shtyllës së djathtë. Në minutën e 17-të, Odeh Al Fakihouri rrezikoi me një goditje nga distanca, por portieri Alexander Schlager ndërhyri në mënyrë fantastike.


Austria kaloi e para në epërsi në minutën e 21-të. Romano Schmid e kontrolloi në mënyrë të shkëlqyer një pasim në hyrje të zonës dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.

Jordania vazhdoi të kërkonte golin dhe në minutën e 22-të Ali Olwan iu afrua shumë barazimit, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa. I njëjti lojtar provoi sërish në minutën e 34-të, por Schlager realizoi edhe një tjetër pritje vendimtare.

Pas pushimit, Jordania mori shpërblimin për paraqitjen e saj. Në minutën e 50-të, Ali Olwan u gjend i vetëm përballë portës dhe nuk gaboi, duke barazuar shifrat në 1-1.

Austria reagoi menjëherë dhe në minutën e 67-të mendoi se e riktheu epërsinë. Pas një rrëmuje në zonë, topi shkoi te Marko Arnautovic, i cili nga afërsia e dërgoi në rrjetë për 2-1, por goli u anulua pas rishikimit me VAR për prekje të topit me dorë gjatë aksionit.

Gjithsesi, goli i dytë i Austrisë erdhi në minutën e 76-të, kur një krosim nga këndi u devijua në portën e vet nga Yazan Al Arab, duke e çuar rezultatin në 2-1.


Kur dukej se takimi do të mbyllej me këtë rezultat, një prekje e topit me dorë në zonën e Jordanisë solli penallti pas rishikimit me VAR, ndërsa Arnautovic u tregua i saktë nga pika e bardhë për të vulosur fitoren përfundimtare 3-1.

Me këtë fitore, Austria e nis në mënyrën më të mirë fazën e grupeve, ndërsa Jordania mbetet pa pikë, pavarësisht paraqitjes së saj të guximshme ndaj favoritëve evropianë.

Promo