Anglia e hap Kupën e Botës me triumf 4:2 ndaj Kroacisë në një duel të mbushur me gola

Lajme

Anglia i ka siguruar tri pikët e para në Kupën e Botës 2026, pasi e mposhti Kroacinë me rezultat 4:2 në një ndeshje spektakolare të luajtur në Dallas.

Takimi nisi me intensitet të lartë dhe anglezët kaluan në avantazh qysh në minutën e 12-të. Pas një ndërhyrjeje të Luka Modriçit në zonë, Anglisë iu akordua penallti.


Goditja e parë u ndal nga Dominik Livakoviqi, por pas rishikimit me VAR, penalltia u përsërit dhe sulmuesi anglez nuk gaboi në provën e dytë për 1-0.

Kroacia u kundërpërgjigj në minutën e 36-të përmes talentit Martin Baturina, i cili shënoi një gol të bukur për rezultatin 1-1.

Sidoqoftë, Anglia riktheu epërsinë gjashtë minuta më pas, kur Kane realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Declan Rice për 2-1.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin minimal të anglezëve, Kroacia goditi sërish. Ivan Perisic asistoi për Petar Musan, i cili në minutën e 45+5 realizoi për 2-2 dhe e ktheu gjithçka në ekuilibër.

Vetëm dy minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Jude Bellingham finalizoi një aksion individual fantastik dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë për 3-2.

Kroacia nuk u dorëzua dhe krijoi disa raste të mira me Marco Pasalic dhe Igor Matanovic, por Jordan Pickford dhe mbrojtja angleze arritën ta ruanin epërsinë.

Në krahun tjetër, Dominik Livakovici e mbajti Kroacinë në lojë me disa pritje të jashtëzakonshme ndaj Bellinghamit, Rice, Gordonit dhe Kaneit.

Gjithçka u vulos në minutën e 85-të, kur zëvendësuesi Bukayo Saka shërbeu për Marcus Rashfordin, i cili realizoi nga afër për rezultatin përfundimtar 4-2.

Harry Kane e nisi Botërorin me dy gola dhe një paraqitje prej lideri në repartin ofensiv të Anglisë, ndërsa Jude Bellingham ishte vendimtar me golin që riktheu epërsinë në pjesën e dytë.

Me këtë fitore, Anglia merr kreun e grupit dhe jep një sinjal të fortë në startin e Kupës së Botës, ndërsa Kroacia mbetet pa pikë pavarësisht paraqitjes së mirë ndaj njërit prej favoritëve të turneut.

Promo