Anglia do të luajë në stadiumin problematik të Botërorit – dy futbollistë kanë ngritur shqetësime

Lajme

Anglia mund të hasë një vështirësi serioze në Kupën e Botës gjatë përballjes me Panamanë në Grupin L, pasi ndeshja është planifikuar të luhet në stadiumin “MetLife”, i cili ka qenë në qendër të kritikave nga disa emra të njohur të futbollit për shkak të cilësisë së dobët të fushës.

“Tre Luanët” do ta nisin rrugëtimin e tyre në Botërorin 2026 më 17 qershor ndaj Kroacisë në ‘Dallas Stadium’ në Arlington, ndërsa më pas do të përballen me Ganën më 23 qershor në Boston Stadium.


Më 27 qershor, ekipi anglez do ta përfundojë fazën e grupeve kundër Panamasë në stadiumin MetLife në New York/New Jersey, arenë ku më 19 korrik do të luhet edhe finalja e madhe e turneut.

Ky stadium do të presë në total tetë ndeshje gjatë Kupës së Botës, por deri tani ka marrë vëmendje jo për arsye pozitive. Pas barazimit 1-1 mes Brazilit dhe Marokut, si edhe fitores 3-1 të Francës ndaj Senegalit, disa lojtarë të njohur kanë shprehur hapur pakënaqësinë për gjendjen e fushës.

Mesfushori i Francës, Adrien Rabiot, ishte ndër ata që kritikoi ashpër kushtet pas ndeshjes së “Gjelave”.

“Fusha… nuk e di nëse mund të quhet fare e tillë. Dukej më shumë si një sipërfaqe artificiale – shumë e fortë dhe e ngurtë”, tha ai.

Pakënaqësi shfaqi edhe sulmuesi brazilian Vinicius Junior, i cili vuri në dukje se kushtet e terrenit e bëjnë më të vështirë zhvillimin normal të lojës.

“Në pjesën e dytë, për shkak të nxehtësisë, fusha thahet shumë shpejt. Loja ngadalësohet dhe ne nuk arrijmë të gjejmë ritmin tonë”, deklaroi ylli brazilian.

Ndeshja e ardhshme në ‘MetLife Stadium’ do të zhvillohet më 22 qershor mes Senegalit dhe Norvegjisë, ndërsa organizatorët do të jenë nën presion për të përmirësuar gjendjen e fushës para se aty të luhen sfida të tjera të rëndësishme të Botërorit, mes tyre edhe finalja.

Promo