Amir Shaipi pranë kalimit te ekipi turk

Lajme

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Shaipi, duket se është shumë afër largimit nga Lugano, pas pesë vitesh të kaluara te klubi zviceran.

25-vjeçari iu bashkua Luganos nga Schaffhausen në vitin 2021 dhe gjatë kësaj kohe u kthye në një prej portierëve më të rëndësishëm të skuadrës, duke numëruar gjithsej 180 paraqitje me fanellën bardhezi.


Një prej çasteve më të spikatura të karrierës së tij te Lugano ishte fitorja 4-1 kundër St. Gallenit në finalen e Kupës së Zvicrës, në maj të vitit 2022.

Megjithatë, pozita e tij ndryshoi sezonin e kaluar pas ardhjes në huazim të David von Ballmoos, i cili mori vendin e portierit të parë. Pavarësisht kësaj, mungesat e shpeshta të zviceranit i dhanë mundësi Shaipit të regjistronte 28 paraqitje gjatë sezonit.

Lugano ka vendosur ta blejë përfundimisht David von Ballmoos, gjë që ka rritur gjasat që Shaipi të largohet këtë verë, një vit para përfundimit të kontratës së tij.

Sipas gazetarit turk Resat Can Ozbudak, portieri kosovar ka arritur marrëveshje me Amed SK, skuadër që ka siguruar inkuadrimin në Superligën e Turqisë për sezonin e ardhshëm.

Nëse transferimi mbyllet me sukses, kjo do të jetë eksperienca e parë e Shaipit jashtë futbollit zviceran. Gjatë viteve të formimit, ai ka qenë pjesë e akademive të Schaffhausenit, Winterthurit dhe Grasshopperit.

Kalimi në Turqi mund të jetë një hap i rëndësishëm në karrierën e portierit kosovar, i cili synon të rikthehet si titullar i padiskutueshëm dhe të vazhdojë zhvillimin e tij në një kampionat më konkurrues./

Promo