Burnley, skuadra ku aktivizohet sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Broja, pësoi humbje 0-2 ndaj Birmingham të mërkurën në mbrëmje, duke u shndërruar zyrtarisht në ekipin me serinë më të gjatë të ndeshjeve pa fitore në shtëpi në historinë e futbollit anglez.
Formacioni i ‘Turf Moor’ nuk ka shijuar sukses para tifozëve të vet në 24 takime radhazi të kampionatit, një periudhë që shtrihet në 403 ditë, siç raporton AFP. Triumfi i tyre i fundit në ligë në shtëpi daton më 18 tetor të vitit të shkuar, kur mposhtën Leeds 2-0, në kohën kur ende garonin në Premier League.
Sipas BBC, rekordi paraprak i përkiste Sheffield Wednesday, i cili kishte qëndruar 376 ditë pa fitore në fushën e vet nga prilli 2025 deri në maj 2026. Burnley e kaloi atë shifër në fund të tetorit, ndërsa të mërkurën u bë klubi i parë anglez që arrin 24 ndeshje radhazi në shtëpi pa asnjë fitore.
Pas përfundimit të takimit, lojtarët e Burnley u pritën me fishkëllima nga tifozët e tyre. Klubi nga Lancashire, që u rrëzua nga elita e futbollit anglez sezonin e kaluar, ndodhet ende në zonën e ftohtë të Championship dhe ka regjistruar vetëm një fitore në 17 ndeshje të këtij edicioni.
Në kahun tjetër, Birmingham siguroi suksesin e shtatë në nëntë përballjet më të fundit dhe tani është më pranë pozicioneve që japin biletën direkte për në Premier League.
