Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra do të luajë dy ndeshje miqësore në Maltë, në fund të këtij muaji dhe në ditët e para të muajit të ardhshëm.
Selektorja Sanije Krasniqi publikoi të martën emrat e futbollisteve të ftuara për takimet kundër Maltës dhe Izraelit. Për këto ndeshje ajo ka përzgjedhur 23 lojtare.
Sipas FFK-së, miqësoret do të zhvillohen të dyja në Maltë dhe synojnë konsolidimin e ekipit, si dhe përgatitjen e tij për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.
Fillimisht, Kosova do të përballet me Maltën më 29 nëntor, në orën 19:00. Më pas, më 2 dhjetor, nga ora 14:00, do të luajë kundër Izraelit.
Të dyja sfidat janë programuar në qendrën nacionale të futbollit në Maltë.
