Khalil Shabazz, basketbollisti i Golden Eagle Yllit, është vlerësuar si lojtari më i dalluar i xhiros së fundit në Superligën e Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës njoftoi të hënën se Shabazz është shpallur “MVP i Javës” për xhiron e dhjetë, pas regjistrimit të indeksit 33 në lojë.
Me 32 pikë, 2 kërcime dhe 9 asistime, ai e priu Yllin drejt fitores ndaj Sigal Prishtinës dhe u përzgjodh gjithashtu në ekipin më të mirë të javës.
Në pesëshen më të mirë të xhiros së dhjetë u përfshinë edhe lojtarët e Pejës Domenic Artis dhe Xavier Johnson, James Graham i Trepçës dhe Rron Ukaj i Borës.
Artis kontribuoi me 24 pikë, 7 kërcime e 2 asistime, ndërsa Johnson shënoi po ashtu 24 pikë, krahas 2 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Të dy ndihmuan Pejën të fitonte në udhëtim kundër Vëllaznimit dhe të ndërpriste serinë prej 7 humbjesh.
Graham u shqua në triumfin e Trepçës në derbin ndaj Bashkimit, duke regjistruar 13 pikë, 11 kërcime dhe 2 asistime. Ndërkohë, Ukaj realizoi 14 pikë, 7 kërcime e 2 asistime në fitoren e Borës kundër Rahovecit 029.
