Përmbysje dramatike në Suharekë, Ballkani shënon tri herë në fund dhe mposht Gjilanin

Ballkani ka regjistruar një fitore me peshë në përballjen e javës së 14-të të Superligës së Kosovës, pasi mposhti Gjilanin 3-1 falë një përmbysjeje spektakolare në minutat e fundit. Në 45 minutat e para të takimit, të dyja skuadrat u përpoqën të gjenin rrugën drejt rrjetës, por asnjëra nuk ia doli…

Përmbysje dramatike në Suharekë, Ballkani shënon tri herë në fund dhe mposht Gjilanin

Ballkani ka regjistruar një fitore me peshë në përballjen e javës së 14-të të Superligës së Kosovës, pasi mposhti Gjilanin 3-1 falë një përmbysjeje spektakolare në minutat e fundit.

Në 45 minutat e para të takimit, të dyja skuadrat u përpoqën të gjenin rrugën drejt rrjetës, por asnjëra nuk ia doli dhe pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0.

Gjilani kaloi në avantazh në minutën e 73-të. Pas një rishikimi nga VAR-i, gjyqtari vendosi penallti për ekipin mysafir dhe Armend Thaqi u tregua i saktë nga pika e bardhë për të shënuar 1-0.

Vendasit reaguan shpejt dhe vetëm pesë minuta më pas arritën të barazojnë shifrat. Albin Berisha shënoi golin e 1-1 pas një pasimi të Diar Nikqit.

Situata u ndërlikua më tej për Gjilanin në minutën e 87-të, kur Arbër Potoku mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Ballkani e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 89-të përmbysi rezultatin. Diar Nikqi ishte në vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë dhe për të bërë 2-1.

Fitoren e ekipit vendas e vulosi Abou Dosso, i cili realizoi në minutën e 90+4-t për të vendosur shifrat përfundimtare 3-1.

Pas kësaj fitoreje, Ballkani dhe Gjilani kanë nga 22 pikë dhe zënë vendin e katërt e të pestë në renditjen e Superligës së Kosovës.