Al Ittihad nga Arabia Saudite ka shfaqur sërish interesim konkret për Edon Zhegrovën, i cili gjithnjë e më shumë po shihet si i larguar nga Juventusi.
Gjatë verës së kaluar, klubi saudit kishte ndjekur nga afër situatën e sulmuesit anësor dhe kishte provuar të siguronte transferimin e tij, por përpjekja e tyre nuk solli rezultat.
Megjithatë, rrethanat tani duken më të favorshme. Juventusi është i hapur ndaj një shitjeje të lojtarit, ndërsa vetë Zhegrova po mendon largimin nga Torino për shkak të hapësirave të kufizuara që ka pasur në fushë.
Në këtë drejtim, Al Ittihad po punon për të finalizuar një ofertë në merkaton e janarit dhe raportohet se synon të ofrojë rreth 15 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit.
Përveç Arabisë Saudite, për Zhegrovën ka interes edhe nga klubet në Turqi dhe Francë, të cilat po kërkojnë me ngulm shërbimet e tij.
Zhegrova ka një kontratë me Juventusin që zgjat deri në vitin 2030. Këtë sezon në Serie A, ai ka regjistruar 2 gola dhe 2 asistime në 9 ndeshje, por në të gjitha rastet është aktivizuar nga stoli.
