Kombëtaret

Kosova dhe Irlanda përballen sërish: Dardanët fituan 1-0 në duelin e parë në “Fadil Vokrri

Kosova dhe Republika e Irlandës luajnë sonte në Dublin ndeshjen vendimtare të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. Para sfidës së kthimit, kujtohet përballja e tyre e parë, më 24 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët fituan 1-0. Takimi i zhvilluar në Prishtinë shënoi përballjen e parë zyrtare…

Kosova dhe Irlanda përballen sërish: Dardanët fituan 1-0 në duelin e parë në “Fadil Vokrri

Kosova dhe Republika e Irlandës luajnë sonte në Dublin ndeshjen vendimtare të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. Para sfidës së kthimit, kujtohet përballja e tyre e parë, më 24 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët fituan 1-0.

Takimi i zhvilluar në Prishtinë shënoi përballjen e parë zyrtare mes dy kombëtareve. Përfaqësuesja e drejtuar nga Franco Foda e nisi me vrull dhe krijoi disa mundësi të rrezikshme gjatë pjesës së parë.

Vedat Muriqi ishte rreziku kryesor për mbrojtjen irlandeze, por portieri Caoimhín Kelleher dhe lojtarët e prapavijës arritën ta ruanin portën. Në minutën e 29-të, sulmuesi kosovar gjuajti drejt saj, por Jayson Molumby largoi topin nga vija e golit.

Pak më vonë, Dara O’Shea ndërhyri në momentin e duhur për të ndalur Veldin Hoxhën. Edhe Kelleher pati një pritje të rëndësishme në pjesën e parë, kur ndali goditjen e fuqishme me kokë të Muriqit.

Irlanda pati mundësitë e saj: në minutën e 22-të, Chiedozie Ogbene nuk shfrytëzoi një rast pas pasimit të James Abankwah. Në fillim të pjesës së dytë, Arijanet Muriq ndali goditjen me kokë të Troy Parrott. Megjithatë, Kosova vazhdoi të sulmonte më shumë dhe të kërcënonte portën kundërshtare.

Goli që vendosi ndeshjen erdhi në minutën e 83-të. Ermal Krasniqi goditi fort pas një aksioni nga krahu, por topi u përplas në traversë. Vedat Muriqi, i pozicionuar mirë, reagoi para mbrojtësve dhe shënoi me kokë. Pas verifikimit nga VAR-i, goli u konfirmua dhe Kosova mori fitoren e parë ndaj Irlandës.

Shifrat e ndeshjes pasqyruan epërsinë e Kosovës: Dardanët realizuan 22 goditje drejt portës, tetë në kuadrat, kurse Irlanda vetëm tri gjatë gjithë takimit. Kosova pati gjithashtu 57 për qind të posedimit të topit, kundrejt 43 për qind të mysafirëve.

Kosova hyn në sfidën e sotme me 6 pikë, pas 1 fitoreje, 3 barazimesh dhe 1 humbjeje. Irlanda ka një pikë më pak.

Në Dublin, Kosovës i mjafton barazimi për të përfunduar e dyta në grup dhe për të siguruar pjesëmarrjen në play-off për promovim në Ligën A. Irlanda duhet të fitojë për ta kaluar Kosovën në renditje.

Kështu, presioni në këtë takim është mbi vendasit, ndërsa Dardanët synojnë të përsërisin paraqitjen e Prishtinës dhe të arrijnë objektivin e tyre.