Kapiteni i Zurichut, Lindrit Kamberi, e ka vendosur Fadil Vokrrin në krye të listës së tij me pesë lojtarët më të mirë në historinë e futbollit të Kosovës. Në vendin e dytë ai ka zgjedhur sulmuesin Vedat Muriqi, ndërsa të tretin ish-kapitenin Amir Rrahmani.
Edon Zhegrova zë vendin e katërt në renditjen e Kamberit. Pesëshen e mbyll bashkëlojtari i tij te Zurichu, Bledian Krasniqi, i cili ka luajtur një ndeshje miqësore me fanellën e Kosovës.
Renditja u bë në një video që gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar nga ambientet e Zurichut. Videoja ishte realizuar më herët, kur Kamberi ishte pyetur për pesë emrat më të mirë të futbollit kosovar.
Kamberi debutoi për Kosovën të shtunën, duke luajtur gjatë gjithë ndeshjes që përfundoi 0-0 ndaj Izraelit. Ai pati një paraqitje pozitive dhe ndihmoi që porta të mbetej e paprekur, ndonëse Kosova luajti me një futbollist më pak prej minutës së 66-të.
Ai pritet të jetë titullar edhe të martën në Dublin, në ndeshjen kundër Irlandës.
