Gashani pranon vonesat në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pranuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po shoqërohen me vonesa dhe vështirësi. Ai i lidhi ato me jostabilitetin institucional dhe problemet e komunikimit ndërmjet institucioneve.…

Gashani pranon vonesat në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pranuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po shoqërohen me vonesa dhe vështirësi. Ai i lidhi ato me jostabilitetin institucional dhe problemet e komunikimit ndërmjet institucioneve.

Sipas Gashanit, jostabiliteti dyvjeçar ka ndikuar në ecurinë e organizimit. Ai tha se Ligji për Lojërat Mesdhetare mbeti pa u miratuar për 15 muaj, ndërsa pas marrjes së mandatit u procedua me ritëm të shpejtë, çka çoi edhe në formimin e Komitetit Organizativ. Ministri u shpreh se puna po vijon me intensitet të plotë.

Vështirësi, sipas tij, ka edhe në komunikimin me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), përveç atij ndërmjet institucioneve vendore. Gashani përmendi fërkime dhe mospajtime të brendshme, por tha se nxjerrja e tyre në publik nuk do të ndihmonte, jo për mungesë transparence. Si një tjetër faktor që ka ndikuar në proces, ai përmendi mungesën e një qeverie të plotë.

Në Kuvend, ministri ngriti edhe çështjen e shtrirjes gjeografike të organizimit. Sipas tij, gjatë vitit 2025 është vendosur të shkelet një nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”: përfshirja e gjithë Kosovës.

Kosova do të jetë për herë të parë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, të cilat pritet të zhvillohen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. Në organizim parashikohet të përfshihen disa qytete të vendit, ndërsa ndërtimi i Qendrës Nacionale të Notit në Prishtinë është një nga projektet kryesore infrastrukturore.

Përgatitjet janë shoqëruar me shqetësime për ritmin e realizimit të projekteve, koordinimin institucional dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj ICMG-së.