Kombëtaret

Materazzi flet sërish për goditjen e Zidane: Vdekja e Jesus De Miguel më bëri të falënderoj Zotin

Në ditën e ndeshjes mes Italisë dhe Francës, ish-mbrojtësi italian Marco Materazzi riktheu në vëmendje finalen e Kupës së Botës 2006, kur Zinedine Zidane e goditi me kokë. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ai foli për atë episod, takimin e tyre në Milano dhe mundësinë e një pajtimi…

Materazzi flet sërish për goditjen e Zidane: Vdekja e Jesus De Miguel më bëri të falënderoj Zotin

Në ditën e ndeshjes mes Italisë dhe Francës, ish-mbrojtësi italian Marco Materazzi riktheu në vëmendje finalen e Kupës së Botës 2006, kur Zinedine Zidane e goditi me kokë. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ai foli për atë episod, takimin e tyre në Milano dhe mundësinë e një pajtimi publik.

Disa ditë më parë, Zidane kishte thënë se nuk ndihej krenar për goditjen ndaj Materazzit, por se nuk ishte penduar. I pyetur çfarë do të thoshte po të ishte në vend të francezit, Materazzi u shpreh se do ta pranonte gabimin dhe do të kërkonte falje.

“Sot do të thosha atë që duhej të kisha thënë atë mbrëmje, 20 vjet më parë, ose të nesërmen: ‘Gabova, por u provokova. Gjykoni vetë çfarë ndodhi. Kërkoj falje’. Ai do të dukej si një zotëri i vërtetë, kurse Materazzi si ‘idioti i zakonshëm’ që e kishte provokuar në mënyrën e vet. Do të dilte më mirë nga ajo situatë, por secili i sheh gjërat ndryshe. Me siguri, çështja do të mbyllej aty”, tha ai.

Sipas Materazzit, përplasja mund të ishte evituar. Ai theksoi se mbajtja e një kundërshtari për ta penguar të shënojë është pjesë e lojës.

“Mund të mos kishte ndodhur, sepse nuk isha as i pari, as i fundit që mbajta një kundërshtar për të mos e lënë të shënonte. Nëse do të isha trajner dhe një mbrojtës imi do ta pengonte me zgjuarsi kundërshtarin përballë të kërcente, do t’ia shtrëngoja dorën”, u shpreh ish-futbollisti.

I pyetur nëse Zidane vazhdon ta ndiejë peshën emocionale të ngjarjes, Materazzi tha se nuk e beson këtë. “Tema është rikthyer sepse Italia po luan me Francën. Por, duke parë karrierën e tij si trajner, mendoj se e ka lënë pas atë histori”, tha ai.

Kur u pyet nëse episodi duket se e shqetëson më shumë Zidane sesa atë vetë, Materazzi përmendi vdekjen e Jesus De Miguelit, e cila e kishte bërë të mendonte për pasojat që mund të kishte pasur goditja në finalen e vitit 2006.

“Jo edhe aq. Vdekja e Jesus De Miguelit më bëri të falënderoja Zotin që nuk më ndodhi asgjë. Në rastin e atij portieri flitet për vrasje nga pakujdesia, pas një incidenti gjatë lojës. Po sikur të më kishte ndodhur mua?”, tha ai.

Në fund, Materazzi foli edhe për refuzimin e Zidane për një pajtim “zyrtar”. “Unë nuk kam pasur kurrë problem me këtë. Ndoshta largimi i tij nga futbolli ishte tepër dramatik që të kthehej pas. Megjithatë, ‘dramatik’ nuk është fjala e duhur: ai nuk ishte provokimi im i parë, por as ajo nuk ishte goditja e tij e parë me kokë. Kjo është përmendur shumë rrallë”, deklaroi Materazzi.