Premier League

Liga Premier pranon se Liverpoolit iu mohua një penallti ndaj Arsenalit

Liverpooli u penalizua nga një vendim i gabuar i arbitrimit në humbjen 1-0 kundër Arsenalit. Paneli i Incidenteve Kyçe të Ndeshjeve (KMI) i Ligës Premier konfirmoi se duhej të jepej penallti për ekipin e Arne Slotit pas tërheqjes së Alexander Isakut nga fanella prej Jurrien Timberit. Ngjarja…

Liga Premier pranon se Liverpoolit iu mohua një penallti ndaj Arsenalit

Liverpooli u penalizua nga një vendim i gabuar i arbitrimit në humbjen 1-0 kundër Arsenalit. Paneli i Incidenteve Kyçe të Ndeshjeve (KMI) i Ligës Premier konfirmoi se duhej të jepej penallti për ekipin e Arne Slotit pas tërheqjes së Alexander Isakut nga fanella prej Jurrien Timberit.

Ngjarja ndodhi në minutën e 21-të të përballjes së 1 nëntorit në “Anfield”. Teksa sulmuesi suedez po përpiqej të mbërrinte te një krosim nga krahu i djathtë, Timber e tërhoqi nga fanella.

Gjyqtari Andy Madley nuk e ndëshkoi rastin me penallti, megjithëse kontakti ishte i dukshëm. As VAR-i, nën përgjegjësinë e Stuart Attwellit, nuk kërkoi ndërhyrje.

Sipas BBC-së, katër anëtarë të panelit të KMI-së votuan se duhej akorduar penallti në fushë, ndërsa njëri ishte kundër. Për ndërhyrjen e VAR-it rezultati ishte tri vota pro dhe dy kundër: shumica mendoi se gjyqtari duhej ftuar ta shqyrtonte pamjen në monitorin pranë fushës.

Dy anëtarë nuk u pajtuan me këtë vlerësim. Sipas tyre, ndikimi i tërheqjes së fanellës ndaj Isakut mund të interpretohej në mënyra të ndryshme dhe nuk përbënte arsye që VAR-i të ndërhynte. Megjithatë, shumica e panelit e cilësoi mosdhënien e penalltisë gabim të qartë dhe të dukshëm.

Anëtarët e panelit ranë njëzëri dakord se Timber nuk meritonte karton të kuq për ndalimin e një mundësie të pastër shënimi, pasi rasti nuk përmbushte kriteret për përjashtim.

Pas ndeshjes, trajneri i Liverpoolit shprehu pakënaqësi për vendimin, duke vënë në dukje se Isaku nuk u rrëzua, ndonëse kundërshtari po e tërhiqte nga fanella.

“Është e qartë se ai po ia mbante fanellën. Alex ishte përpara tij dhe po përpiqej të godiste me kokë drejt portës, por nuk mundi sepse ia kapi fanellën”, tha trajneri i Liverpoolit për BBC-në.

Ai shtoi se rënia e sulmuesit në tokë mund ta kishte bindur gjyqtarin të akordonte penallti. Me ironi, trajneri vërejti se lojtarët mund të nxiten të rrëzohen për t’i bërë arbitrat të ndëshkojnë ndërhyrjet e kundërshtarëve.