Kombëtaret

Presidentja Justina Shiroka Pula takon Dardanët në kampin e grumbullimit të Kosovës

Kombëtarja e Kosovës mirëpriti sot në hotelin “Emerald”, ku po zhvillon grumbullimin, Presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula. Ajo u prit ngrohtësisht nga drejtuesit, futbollistët dhe stafi i ekipit. Takimin e zhvilluan edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim…

Presidentja Justina Shiroka Pula takon Dardanët në kampin e grumbullimit të Kosovës

Kombëtarja e Kosovës mirëpriti sot në hotelin “Emerald”, ku po zhvillon grumbullimin, Presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula. Ajo u prit ngrohtësisht nga drejtuesit, futbollistët dhe stafi i ekipit.

Takimin e zhvilluan edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me futbollistët e Kombëtares.

Ademi e përgëzoi Shiroka Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës, duke i uruar suksese në drejtimin e vendit dhe në përmbushjen e projekteve shtetërore.

Presidentja u shpreh e kënaqur për vizitën dhe takimin me Dardanët, të cilët i falënderoi për mënyrën dinjitoze si përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ajo i cilësoi futbollistët e Kombëtares si ambasadorët më të mirë të vendit dhe vuri në dukje se talenti, përkushtimi dhe rezultatet e tyre e kanë çuar emrin e Kosovës në vende ku politika ndonjëherë nuk arrin.

Shiroka Pula u uroi suksese në dy sfidat e radhës: fillimisht ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe më pas kundër Irlandës, në udhëtim. Ajo përshëndeti posaçërisht edhe tre futbollistët e thirrur për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës.

Vizita u mbyll me dhurimin e fanellës zyrtare të Kombëtares së Kosovës për Presidenten nga Agim Ademi, si shenjë e përfaqësimit dhe krenarisë shtetërore.