Szczesny rrëfen dhimbjen që e shoqëron prej vitesh: As një pritje nuk e bëj pa vuajtur, s’mund të mbaj dot as një shishe uji

Szczesny rrëfen dhimbjen që e shoqëron prej vitesh: As një pritje nuk e bëj pa vuajtur, s’mund të mbaj dot as një shishe uji

Lajme

Wojciech Szczesny ka ndarë një dëshmi tronditëse, teksa ka bërë të ditur se prej më shumë se dhjetë vitesh vazhdon të luajë nën dhimbje të pandërprera, pas një dëmtimi të rëndë që e pësoi kur ishte pjesë e Arsenalit.

Gardiani i Barcelonës shpjegoi se çdo ndërhyrje që bën i shkakton dhimbje, duke treguar njëherazi se kjo ishte arsyeja kryesore pse kishte vendosur të mbyllte karrierën, para se ta telefononte klubi katalanas.

Kalimi i Szczesnyt te Barcelona në sezonin 2024/25 u pa si një rikthim i jashtëzakonshëm pas pensionimit, por portieri polak ka treguar tashmë anën e vështirë fizike që, sipas tij, e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit në futboll.

Ai bëri të ditur se kishte thyer të dy krahët gjatë një seance stërvitore në palestër, në periudhën kur luante te Arsenali në Londër, ndërsa pasojat e atij dëmtimi i kanë mbetur edhe gjatë periudhave te Roma, Juventus dhe tani në ‘Camp Nou’.

Dhimbjet kronike, sipas tij, ishin faktori kryesor që e shtyu të tërhiqej nga futbolli pas Euro 2024, pasi pesha e futbollit profesionist ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

Në një intervistë në YouTube me ish-shokun e kombëtares polake, Grzegorz Krychowiak, portieri me përvojë tregoi se dëmtimi i rëndë i pësuar te Arsenali në vitin 2008 ia ndryshoi përgjithmonë karrierën.

Ai foli edhe për shkallën e dhimbjeve që përjeton çdo ditë, si gjatë ndeshjeve, ashtu edhe në stërvitjet që zhvillon nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

“Nuk mund ta kap topin pa ndjerë dhimbje. Nuk ka pasur asnjë gjuajtje që kam pritur pa ndjerë dhimbje. Thjesht jam mësuar me të, por është një ndjesi shumë e pakëndshme”, tha Szczesny.

“Ndonjëherë më duhet ndihma e dikujt tjetër vetëm për t’i hequr dorezat. Nuk mund ta mbaj as një shishe uji pa më rënë nga dora dhe as ta hap kapakun e saj. Zakonisht më duhen rreth një orë që duart të më rikthehen në gjendje normale”, përfundoi ai.//

Promo