Arijon Ibrahimovic do të jetë pjesë e ekipit të parë të Bayern Munich në sezonin e ri, pasi klubi bavarez ka marrë vendimin për ta integruar sulmuesin e ri në planet e tij. Futbollisti 20-vjeçar hyn kështu në projektin e trajnerit Vincent Kompany, pas periudhës së huazimit te 1. FC Heidenheim.
Klubi gjerman ka bërë të ditur se lojtari me prejardhje shqiptare, i cili është pjesë e Bayern Munich që nga viti 2018, ka kontratë deri më 30 qershor 2028. Në edicionin e ardhshëm, ai do të luajë me fanellën me numrin 22.
Ibrahimovic, i formuar në akademinë e Bayernit, ka ndjekur një proces të vazhdueshëm drejt skuadrës së parë. Ai iu bashkua klubit kur ishte 12 vjeç, pasi kishte ardhur nga akademia e 1. FC Nürnberg, dhe më tej u zhvillua nëpërmjet ekipeve zinxhir dhe huazimeve të planifikuara.
Për ecurinë e tij foli edhe drejtori sportiv i Bayern, Christoph Freund, i cili vuri në pah hapat përpara të futbollistit pas disa periudhave në huazim.
“Arijoni iu bashkua Bayernit kur ishte 12 vjeç. Ai ka përparuar hap pas hapi përmes akademisë sonë dhe huazimeve të menduara mirë. Sidomos gjatë vitit të fundit te Heidenheim, ai ka mësuar shumë si lojtar dhe si person për të qenë gati për Bayernin. Zhvillimi i tij është një shembull i mundësive që u japim talenteve tona. Tani nuk bëhet më vetëm fjalë për të mësuar, por për të lënë gjurmë te Bayern”, deklaroi Freund.
Debutimin me ekipin e parë të Bayern ai e regjistroi në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 17 vjeç, në përballjen kundër VfL Bochum.
Në sezonin e fundit me Heidenheim, Ibrahimovic u aktivizua në 34 ndeshje zyrtare, ku realizoi 2 gola dhe kontribuoi me 5 asistime. Para kësaj eksperience, ai kishte marrë minuta dhe përvojë edhe në futbollin italian te Frosinone dhe Lazio.
Në arenën ndërkombëtare, ai debutoi me Gjermaninë U-21 në nëntor dhe numëron dy paraqitje.
Ndërkohë, Ibrahimovic vlerësohet pozitivisht edhe nga FFK, me të cilën ka zhvilluar bisedime lidhur me afrimin e tij te Kombëtarja e Kosovës.


