SHBA-ja ka marrë një zhvillim shumë të rëndësishëm përpara ndeshjes me Belgjikën në fazën e 1/8-tës të Kupës së Botës 2026, pasi Folarin Balogun është lejuar të aktivizohet edhe pse u ndëshkua me karton të kuq në takimin e fundit.
“The Athletic” raporton se FIFA ka vendosur të pezullojë dënimin me një ndeshje për sulmuesin e Monacos, çka e bën atë të gatshëm për përballjen e së hënës.
Në sfidën ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, Balogun u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Tarik Muharemoviqit dhe, sipas rregullave të FIFA-s, ai pritej të mungonte automatikisht në ndeshjen pasuese.
Megjithatë, institucioni më i lartë i futbollit ka vendosur të ndalojë zbatimin e këtij dënimi duke iu referuar Nenit 27 të Kodit Disiplinor.
Bëhet fjalë për një vendim me kusht, që nënkupton se masa ndëshkuese mund të hyjë sërish në fuqi nëse Balogun bën një shkelje të ngjashme gjatë periudhës së provës.
Ky zhvillim vjen edhe pse më herët disa zyrtarë të FIFA-s kishin sinjalizuar se as kartoni i kuq dhe as ndëshkimi pas tij nuk mund të apeloheshin.
Balogun ka qenë ndër lojtarët më vendimtarë të SHBA-së në këtë edicion të Kupës së Botës. Në ndeshjen hapëse ndaj Paraguait ai shënoi dy gola, ndërsa më pas realizoi edhe një tjetër kundër Bosnje dhe Hercegovinës.
Deri në këtë pikë të turneut, sulmuesi ka dhënë të paktën një gol ose asistim në çdo ndeshje të Botërorit ku është aktivizuar.
Mungesa e tij e mundshme kishte hapur debat të madh, ndërsa trajneri Mauricio Pochettino kishte mbrojtur idenë se ndërhyrja ishte aksidentale.
“Nuk ishte kurrë për karton të kuq”, deklaroi tekniku argjentinas.
Kundër vendimit të arbitrave reagoi edhe kapiteni Christian Pulisic.
“Ishte një vendim shumë i ashpër”, u shpreh ai.
Prania e Balogun i jep një shtysë të madhe repartit ofensiv të SHBA-së për duelin ndaj Belgjikës, ku amerikanët synojnë kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026./


