Përpara sfidës së 1/8 së finales së Kupës së Botës ndaj Meksikës, Harry Kane vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.
Javier Aguirre, trajneri i përfaqësueses meksikane, ka shprehur vlerësim të madh për sulmuesin e Bayern Munich, duke e konsideruar atë një futbollist të nivelit më të lartë.
Duke folur për kapitenin anglez, Aguirre tha: “Harry Kane është një ikonë globale. Golat që ka shënuar për Tottenhamin, Bayernin apo për kombëtaren janë të një futbollisti të klasit botëror”.
Më tej, tekniku meksikan shtoi: “Ai është 1.88 metra i gjatë dhe, pavarësisht shtatlartësisë, ka teknikë të jashtëzakonshme. Është i fortë në ajër, ka gjithçka. Punon shumë, ndihmon në mbrojtje dhe është kapiten. Çfarë mund të shtoj më shumë për të?”.
Në të njëjtën kohë, Aguirre bëri të ditur edhe mënyrën se si Meksika synon ta frenojë sulmuesin anglez.
“Do të përpiqemi ta neutralizojmë, jo vetëm me qendërmbrojtësit, por edhe me mesfushën dhe me ndihmën e mbrojtësve anësorë”.
Ai sqaroi edhe më tej planin: “Duam të sigurohemi që ai të mos ndihet rehat në fushë kur zbret poshtë për të marrë topin. Ai duhet të ketë gjithmonë një kundërshtar pranë, në mënyrë që të mos krijojë asgjë”.
Anglia dhe Meksika do të përballen në 1/8 e finales së Kupës së Botës, ndërsa vëmendja pritet të përqendrohet sërish te Harry Kane, shpresa kryesore e “Tre Luanëve”.


