Carlo Ancelotti, trajneri i përfaqësueses së Brazilit, ka reaguar me tone të forta ndaj komenteve kritike për mënyrën e lojës së skuadrës në Kupën e Botës, duke dalë në mbrojtje të punës dhe kompetencës së tij si teknik.
Italiani nënvizoi se rruga e gjatë që ka bërë në futboll vlen më shumë se gjykimet nga jashtë, teksa tha se ekziston vetëm një figurë në botën e futbollit që ka autoritet t’i japë këshilla: legjenda e Manchester United, Alex Ferguson.
“Në Itali thonë se të gjithë burrat duan të bëhen trajnerë dhe të gjitha gratë arkitekte. Nuk e di nëse e kuptoj futbollin apo jo, por askush nuk mund të më gjykojë për këtë”.
“E vetmja gjë që është e sigurt është se jam përgatitur për më shumë se 1.400 ndeshje. Ndoshta kjo nuk mjafton për ta kuptuar futbollin, por sigurisht që është një përvojë e madhe”.
“Vetëm një person është përgatitur për më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka drejtuar mbi 2.000 ndeshje”.
“Unë pranoj këshilla nga të gjithë, por i vetmi që mund të jetë personi i duhur për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson”.
“Jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam gjeni, por në të njëjtën kohë jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam budalla”, ka deklaruar Ancelotti.
Edhe pse tifozët kanë shprehur pakënaqësi për faktin që Brazili nuk po paraqet një futboll më ofensiv dhe më spektakolar në këtë Kupë Bote, raportet tregojnë se Ancelotti vijon të ketë mbështetjen e plotë të lojtarëve në dhomat e zhveshjes.//


