Gazetari argjentinas hedh akuza të rënda: karteli meksikan kërcënoi lojtarët e Ekuadorit që të humbnin ndaj Meksikës

Gazetari argjentinas hedh akuza të rënda: karteli meksikan kërcënoi lojtarët e Ekuadorit që të humbnin ndaj Meksikës

Lajme

Pak ditë para përballjes së Botërorit mes Meksikës dhe Anglisë, një deklaratë e gazetarit argjentinas Eduardo Feinmann ka nxitur shumë reagime.

Në një prononcim për Radio Mitre, Feinmann tha se përpara ndeshjes së fazës së 1/16 së finales kundër Meksikës, disa lojtarë të Ekuadorit ishin kërcënuar nga një kartel meksikan. Sipas tij, kjo sfidë u mbyll me humbjen 2-0 të ekuadorianëve në stadiumin Azteca.

“Çështja e Botërorit është mjaft e ndërlikuar, sepse duket se tashmë është konfirmuar se ka pasur kërcënime nga një kartel meksikan të drejtuara ndaj futbollistëve të Ekuadorit. Ata kontaktuan pesë lojtarë, duke u dhënë detaje specifike për familjarët e tyre në Ekuador dhe Meksikë. Është tronditëse”.

“Ata u kërcënuan që të humbnin atë ditë në stadiumin Azteca kundër Meksikës”.

“Kjo është ajo që janë kartelet e drogës, është tronditëse. Dhe duket se ata duan që Meksika të bëhet kampione e botës në vitin 2026 me çdo kusht”.

Megjithatë, portali meksikan De10.mx raportoi se deri në këtë moment, as FIFA dhe as Federata Ekuadoriane e Futbollit nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e këtyre kërcënimeve.

Përpara ndeshjes, pakënaqësia e vetme e shprehur nga Federata Ekuadoriane kishte të bënte me atë që ndodhte pranë hotelit ku qëndronte kombëtarja, më saktësisht me zhurmat, serenatat dhe përdorimin e mjeteve piroteknike jashtë vendqëndrimit të ekipit.

Takimi mes Meksikës dhe Ekuadorit u luajt më 1 korrik dhe përfundoi 2-0 në favor të vendasve.

Në fazën e 1/8 së finales, Meksika do të luajë ndaj Anglisë në stadiumin Azteca, në një ndeshje të parashikuar për më 6 korrik./

Promo