Haaland thyen çdo parashikim, projeksionet e çojnë deri në 260 gola me Norvegjinë

Haaland thyen çdo parashikim, projeksionet e çojnë deri në 260 gola me Norvegjinë

Lajme

Erling Haaland po vendos standarde të jashtëzakonshme me kombëtaren e Norvegjisë dhe, nëse e mban këtë ritëm, totalet që mund të prekë në fund të aventurës së tij ndërkombëtare duken pothuajse të pabesueshme.

Momenti më i rëndësishëm deri tani erdhi në fitoren 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, ku sulmuesi norvegjez realizoi golin vendimtar që i dha ekipit të tij kualifikimin historik në çerekfinale për herë të parë.

Pas sfidës, Haaland festoi me tifozët në ceremoninë tashmë të njohur “Viking Row”, ndërsa atmosfera në Dallas pasqyroi qartë se Norvegjia po përjeton një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e futbollit të saj.

Edhe pse realizimi ndaj Bregut të Fildishtë nuk ishte ndër më të bukurit e karrierës së tij, pasi erdhi pas një goditjeje jo ideale nga asistimi i Patrick Berg, ai mbetet pa diskutim më i rëndësishmi me fanellën e kombëtares.

Me këtë sukses, Norvegjia u bë përfaqësuesja e parë evropiane që kaloi në fazën tjetër të turneut, duke arritur atë që Gjermania dhe Holanda nuk ia dolën ta bënin. Tashmë, përpara saj është një përballje e madhe me Brazilin.

Ky gol i dha peshë tjetër statistikave tashmë mbresëlënëse të Haalandit, i cili deri në këtë pikë kishte grumbulluar shumë realizime ndaj ekipeve si Moldavia, Rumania, Kazakistani dhe Gjibraltari, por nuk kishte pasur rastin të linte gjurmë në një turne të madh, për shkak se Norvegjia nuk ishte kualifikuar në asnjë kompeticion madhor gjatë karrierës së tij.

Me golin kundër Bregut të Fildishtë, Haaland ka shkuar në kuotën e 60 golave në vetëm 53 ndeshje me Norvegjinë, duke mbajtur një mesatare të jashtëzakonshme prej një goli çdo 72 minuta.

Në Kupën e Botës 2026, ai ka realizuar pesë herë në vetëm tri ndeshje, duke u pozicionuar menjëherë pas Lionel Messit në renditjen e golashënuesve më të mirë të kompeticionit.

Ish-kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney, vlerësoi peshën e sulmuesit norvegjez në këtë ecuri.

“Norvegjia është një skuadër shumë e mirë dhe kjo falë atij njeriu. Me golat e tij ai ka treguar se i përket nivelit të Kupës së Botës. Nuk ishte shumë i përfshirë në lojë, por shënoi golin që vendosi gjithçka”.

Forma e Haalandit bie në sy edhe në ndeshjet zyrtare. Ai ka shënuar në secilën prej 13 paraqitjeve të fundit konkurruese me Norvegjinë, duke regjistruar 25 gola në këtë periudhë.

Vendimtar ai ishte edhe në eliminatore, kur realizoi dy herë në fitoren 4-1 ndaj Italisë, rezultat që i siguroi Norvegjisë pjesëmarrjen në turneun e parë madhor që prej Euro 2000.

Në Botërorin 2026, sulmuesi norvegjez shënoi dy gola ndaj Irakut, dy të tjerë përballë Senegalit dhe më pas realizoi golin e fitores kundër Bregut të Fildishtë.

Ndonëse në ndeshjen e fundit nuk dominoi lojën, ai tregoi edhe një herë nuhatjen tipike të një finalizuesi të lindur.

Gjatë 90 minutave, Haaland regjistroi vetëm 27 prekje të topit dhe 10 pasime, por një moment i vetëm i mjaftoi për të përcaktuar fituesin e ndeshjes.

Një tifoz norvegjez deklaroi:

“Ai është gjithçka për ne. Është vendimtar në momentet më të rëndësishme. Falë tij u kualifikuam dhe falë tij fituam sot. Është lojtari më i madh që ka pasur ndonjëherë Norvegjia”.

Shifrat aktuale e vendosin Haalandin në një kategori krejt të veçantë në futbollin ndërkombëtar.

Për krahasim, rekordin aktual në futbollin e meshkujve e mban Cristiano Ronaldo me 145 gola në 231 ndeshje për Portugalinë, ose një gol çdo 1.59 ndeshje.

Haaland, nga ana tjetër, numëron 60 gola në 53 ndeshje, çka përkthehet në një gol çdo 0.88 ndeshje.

Nëse e vazhdon këtë ritëm, ai mund të arrijë rekordin aktual të Ronaldos afërsisht në ndeshjen e 128-të me Norvegjinë, kohë kur do të jetë vetëm 32 vjeç.

Madje, në një skenar ideal ku Norvegjia arrin të kualifikohet rregullisht në turnetë e mëdhenj dhe Haaland vazhdon të luajë deri në moshën 41-vjeçare, përllogaritjet teorike tregojnë se ai mund të shkojë deri në 260 gola ndërkombëtarë.

Sigurisht, bëhet fjalë vetëm për një projeksion statistikor, pasi dëmtimet, gjendja fizike, jetëgjatësia në futboll dhe ecuria e Norvegjisë në vitet e ardhshme mund të kenë ndikim të madh mbi këto numra.

Megjithatë, një gjë duket e padiskutueshme: Erling Haaland po ndërton një trashëgimi që mund ta rendisë mes emrave më të mëdhenj në historinë e kombëtareve dhe tashmë shihet si simboli më i madh i futbollit norvegjez.

Promo