Pas 90 minutave lojë, sfida e raundit të 16-shes në Kupën e Botës mes Gjermanisë dhe Paraguait nuk ka nxjerrë fitues, pasi të dyja ekipet e mbyllën kohën e rregullt në barazim 1:1 dhe tashmë do të kërkojnë kualifikimin në vazhdime.
Gjermania kishte arritur në fazën me eliminim direkt si kryesuese e Grupit E, duke lënë pas Bregun e Fildishtë, Ekuadorin dhe Kuraçaon. Nga ana tjetër, Paraguai siguroi kalimin tutje si i dyti në Grupin A, pas SHBA-së dhe përpara Australisë e Turqisë.
Fraksioni i parë prodhoi befasinë më të madhe të ndeshjes. Në minutën e 42-të, në një prej daljeve të pakta përpara portës gjermane, paraguajanët gjetën avantazhin. Mathias Galarza harkoi nga e djathta dhe Julio Enciso, i lënë i lirë brenda zonës, goditi saktë me kokë për të mposhtur portierin gjerman dhe për të kaluar ekipin e tij në 1:0.
Reagimi i Gjermanisë erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, pas një aksioni të ndërtuar sërish nga krahët, Florian Wirtz provoi drejt kuadratit, ndërsa Kai Havertz ndërhyri me kokë te shtylla e parë, duke devijuar topin në rrjetë për barazimin 1:1.
Deri në përfundim të kohës së rregullt, të dyja skuadrat krijuan mundësi për të shënuar golin vendimtar, por asnjëra nuk arriti ta zgjidhë ndeshjen brenda 90 minutave.
Ekipi që do të dalë fitues nga kjo përballje do të ndeshet në çerekfinale me fituesin e duelit mes Suedisë dhe Francës.



