Harry Maguire ka thënë se Marcus Rashford mund të vazhdojë ende te Manchester United gjatë kësaj vere, nëse një zgjidhje e tillë do të ishte e përshtatshme për të gjitha palët e përfshira.
Mbrojtësi anglez theksoi se do ta priste pozitivisht një rikthim të sulmuesit në “Old Trafford”, ndërsa u ndal te raporti i tyre ndër vite.
“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Marcusin dhe kemi kaluar shumë momente të mira së bashku gjatë viteve”.
“E di se çfarë lojtari i jashtëzakonshëm mund të jetë ai. Besoj se gjithçka varet nga klubi dhe nga Marcus për të gjetur një marrëveshje të përbashkët”.
“Sigurisht, nëse Marcus rikthehet, ne duam që ai të kthehet për të luajtur dhe të jetë i lumtur dhe me besim në vetvete”.
“Duhet të jetë zgjedhja e duhur për të dhe për klubin, por të gjithë e dinë se sa lojtar i madh mund të jetë Marcus për cilindo klub ku do të luajë sezonin e ardhshëm”.
Rashford e kaloi pjesën e dytë të sezonit 2024/25 në huazim te Aston Villa, ndërsa sezonin pasues luajti për Barcelonën, duke shtuar përshtypjen se periudha e tij në Manchester po shkonte drejt mbylljes.
Te klubi katalanas, 28-vjeçari zhvilloi një edicion të mirë, duke kontribuar në fitimin e La Ligas dhe Superkupës së Spanjës. Me fanellën blaugrana, ai shënoi 14 gola dhe dha 11 asistime në të gjitha kompeticionet.
Në total, Rashford regjistroi 25 kontribute direkte në gola, shifër që e renditi si lojtarin e katërt më produktiv të Barcelonës gjatë sezonit, pas Lamine Yamal, Fermin Lopez dhe Raphinhas.
Paraqitjet e tij i siguruan edhe një vend me Anglinë për Kupën e Botës, por e ardhmja e tij në Barcelonë është bërë e paqartë pas transferimit të Anthony Gordonit për 70 milionë funte.
Sipas raportimeve, ai ka një klauzolë largimi prej 40 milionë funtesh për klubet angleze, përveç Manchester Cityt dhe Liverpoolit.
Që prej paraqitjes së parë me ekipin e parë të Manchester United në sezonin 2015/16, Rashford ka luajtur 287 ndeshje për Djajtë e Kuq, duke shënuar 87 gola dhe duke dhuruar 40 asistime.



