I pranishëm në emisionin “Kampionët” në TV Klan, ish-trajneri i Partizanit, Skënder Gega, foli edhe për Ylber Ramadanin. Meqë të dy ndodheshin në panel, Gega shprehu hapur vlerësimin e tij për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, duke nënvizuar se nuk pati mundësinë të punonte me të te Partizani.
“Për Ramadanin, fjalët janë të pakta. Ky është një person dhe një lojtar që gjithmonë ka folur pak. E kanë paragjykuar. Ka ardhur nga pjesa tjetër e Shqipërisë që është Kosova, se nuk themi dot kosovar, por shqiptar i Kosovës. Ka ardhur në Tiranë me përpjekje, me sakrifica. Ka gjetur rrugën e tij, falë punës. Edhe me Kombëtaren, sidomos në elimintoret, ka qenë i jashtëzakonshëm.
Për çdo trajner, mënyra se si luan, është i domosdoshëm, pasi është njeri që mban balancat brenda fushës, me aq sa njoh edhe jashtë fushe. I vuri vulën në Itali, sepse atje nuk ka mik. Unë nuk kam pasur fatin që të jem me të, pasi vitin që shkova unë, Ramadani u largua nga Partizani. Por, kam dëgjuar fjalët më të mira, kam qenë gjithmonë mbështetës i tij”, ka thënë Skënder Gega.









