Superiore

Dinamo pëson katër gola ndaj Partizanit, Luan Pinari kritikon arbitrin dhe VAR-in: Nuk ishte në nivelin e derbit

Dinamo u mposht në stadiumin e saj për të tretën herë radhazi në derbin e qytetit kundër Partizanit. Ndeshja e vlefshme për javën e 13-të të Superiores u mbyll me fitoren 1-4 të skuadrës së kuqe. Pas përfundimit të takimit, drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, analizoi para mediave paraqitjen…

Dinamo pëson katër gola ndaj Partizanit, Luan Pinari kritikon arbitrin dhe VAR-in: Nuk ishte në nivelin e derbit

Dinamo u mposht në stadiumin e saj për të tretën herë radhazi në derbin e qytetit kundër Partizanit. Ndeshja e vlefshme për javën e 13-të të Superiores u mbyll me fitoren 1-4 të skuadrës së kuqe. Pas përfundimit të takimit, drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, analizoi para mediave paraqitjen e ekipit.

“Prisnim një tjetër rezultat dhe një tjetër rrjedhë të ndeshjes. Sot patëm edhe momente të mira, edhe të këqija. Gabimet tona i dhanë mundësi kundërshtarit, por në disa raste zhvilluam mirë lojën. Mendoj se problemi kryesor ishte mungesa e qetësisë së nevojshme para portës, më shumë sesa merita e Partizanit. Kemi edhe elementë që duhet t’i zgjidhim më mirë”, u shpreh Pinari.

Duke folur për vendimet e gjyqtarit kryesor, ai tha se arbitri u nxitua në një moment kur topi ishte i diskutueshëm dhe loja mund të riniste ndryshe pas vërshëllimës.

Pinari u ndal edhe te episodi i penalltisë së parë: “Nuk e di nëse VAR-i ka bojë për të bërë vijat e pozicionit jashtë loje. Nuk pati kontakt mes portierit. Arbitri nuk denjoi as ta shihte pamjen në VAR”.

Ai kritikoi gjithashtu sjelljen ndaj futbollistëve të Dinamos, duke pretenduar se ndaj tyre u përdor një fjalor banal. “Kjo ishte e papranueshme. Ky gjyqtar nuk m’u duk i denjë për një derbi. Të dyja skuadrat nuk e meritonin një arbitër të tillë”, deklaroi drejtori sportiv.

Sipas tij, gjendja e fushës ndikoi në mënyrën e lojës së Dinamos. “Terreni i rënduar nuk na lejoi të luanim me shpejtësinë e duhur dhe të qarkullonim shpejt topin. Kundërshtari luajti më shumë me kundërsulme”, tha ai.

I pyetur për rastet e shumta të krijuara dhe mungesën e finalizimit, Pinari theksoi se skuadra po e vuan pikërisht problemin e shënimit. “Kemi pasur raste, por qetësia para portës është shumë e rëndësishme. Nuk po kërkojmë alibi dhe nuk duam t’ua hedhim fajin gjyqtarëve për të justifikuar veten”, u shpreh ai.

Pinari pranoi se Dinamo po zhvillon futboll të mirë në disa momente, por nuk po arrin të shfrytëzojë mundësitë. “Të gjithë i dimë problematikat dhe secili ka marrë përgjegjësitë e veta. Mund të luajmë bukur, por kur na jepet mundësia nuk shënojmë. Nuk është momenti i skuadrës: ndonjëherë një ekip shënon me gjysmë rasti, ndërsa ne krijojmë shumë dhe nuk realizojmë”, tha ai.

Për serinë prej 8 ndeshjesh pa fitore dhe deklaratën e presidentit, i cili fajësoi të gjithë, drejtori sportiv tha se klubi e kupton situatën e vështirë. “Nuk jemi në një moment të mirë. Besoj se presidenti kërkoi t’i shkundte lojtarët me atë deklaratë. Ka kaluar kohë që nuk marrim rezultate, por ne jemi ata që e kemi ngritur Dinamon. Ky grup lojtarësh dhe presidenti kemi dhënë fjalën se shumë shpejt do të rikthehemi”, deklaroi Pinari.

Sa i përket nevojës për një sulmues tipik numër 9, ai u përgjigj: “Sigurisht që na mungon një golashënues i tillë. Në janar do të vazhdojmë me lojtarët që kemi. Kur nuk shënon, barra bie mbi sulmuesin”.