Vera e transferimeve po sjell zhvillime mjaft të rëndësishme te Real Madridi, ku afrimet e reja kanë shtyrë klubin të reflektojë seriozisht mbi përbërjen aktuale të skuadrës.
Drejtuesit madrilenë po analizojnë situatën e deri në shtatë lojtarëve: Raul Asencio, Fran Garcia, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Franco Mastantuono, Brahim Diaz dhe Gonzalo Garcia.
Edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar, sektori sportiv i klubit është tashmë i angazhuar në ndërtimin e një skenari të ndërlikuar për këtë afat kalimtar.
Kohët e fundit, Real Madridi ka zhvendosur prioritetet në strategjinë e merkatos. Pas hapave përpara në afrimin e përforcimeve, tani klubi duhet të lirojë hapësira në skuadër përpara se të ndërmarrë lëvizje të tjera.
Situatat e Asencios dhe Fran Garcias duken më të drejtpërdrejta, pasi të dy kanë vlerësim të lartë në treg dhe mund t’i sjellin klubit të ardhura të rëndësishme, pa cenuar strukturën kryesore të ekipit.
Në repartin e mesfushës, tabloja paraqitet më e ndërlikuar. Camavinga dhe Tchouameni mbeten lojtarë të nivelit të lartë, me kontrata afatgjata dhe me peshë të madhe në tregun ndërkombëtar. Pavarësisht kësaj, te Real Madridi ekziston bindja se një largim nga kjo zonë e fushës do të sillte burime shtesë financiare për operacionet e ardhshme gjatë merkatos.
Në listën e futbollistëve që mund të largohen bën pjesë edhe Brahim, megjithëse rasti i tij shihet ndryshe. Ai ka treguar se mund të përshtatet në disa role në sulm, por shtimi i konkurrencës në repartin ofensiv mund t’ia reduktojë hapësirat dhe minutazhin.
Nga ana tjetër, e ardhmja e Gonzalo Garcias do të kushtëzohet nga mënyra se si klubi do ta ndërtojë sulmin. Për të mund të merret një vendim pas përgatitjeve verore, në varësi të asaj nëse do të ketë hapësirë për një sulmues rotacioni.
Për Mastantuonon, alternativa që shihet si më e mundshme është huazimi dhe jo transferimi përfundimtar. Talenti argjentinas ka nevojë për vazhdimësi në lojë dhe Real Madridi nuk synon t’ia ngadalësojë zhvillimin.
Prandaj, si zgjedhja më e arsyeshme konsiderohet kalimi i tij në formë huazimi te një klub ku do të ketë mundësi të luajë rregullisht dhe të marrë më shumë përgjegjësi.


