Jose Mourinho ka deklaruar se do të angazhohet për ta ndihmuar Kylian Mbappen që të përmirësohet edhe më shumë si futbollist.
Trajneri portugez tashmë ka marrë zyrtarisht drejtimin e Real Madridit dhe, në paraqitjen e tij të parë si teknik i madrilenëve, bëri të ditur se në këtë fazë fillestare po merret me vlerësimin e skuadrës.
“Kjo nuk është koha për të folur. Është koha për të qëndruar i qetë, për të analizuar, komunikuar, bërë pyetje, dhënë përgjigje dhe për t’u angazhuar në një dialog të hapur dhe të ndershëm”.
Ai theksoi se synimi i tij kryesor është të kontribuojë në zhvillimin e lojtarëve, të ekipit dhe të vetë klubit.
“Sepse në fund të fundit, ajo që dua është të ndihmoj lojtarët të përmirësohen, ekipin të përmirësohet dhe klubin të përmirësohet”.
Mourinho nënvizoi më tej se ardhja e tij në Madrid nuk lidhet me kritika ndaj askujt, por me gatishmërinë për të dëgjuar dhe për të mbështetur secilin brenda klubit.
“Jam këtu për të ndihmuar të gjithë – jo për të kritikuar, jo për të folur, por për të dëgjuar”.
Në përmbyllje, ai u ndal te Kylian Mbappe, për të cilin pati vlerësime të larta, duke e bërë të qartë se dëshiron ta ndihmojë që të arrijë një stad edhe më të lartë në karrierë.
“E vetmja gjë që mund të them për Mbappe është se ai është një lojtar fenomenal dhe unë do të përpiqem ta ndihmoj që të bëhet edhe më i mirë”.
Në anën tjetër, Mbappe, ashtu si shumë prej yjeve të Realit, është aktualisht i përqendruar te kombëtarja e tij me synimin për të fituar Kampionatin Botëror 2026./


