Ibrahimovic ironizon deklaratën e Ronaldos pas dopietës me Portugalinë: Mendova se nuk ishte larguar kurrë

Ibrahimovic ironizon deklaratën e Ronaldos pas dopietës me Portugalinë: Mendova se nuk ishte larguar kurrë

Lajme

Cristiano Ronaldo u rikthye në qendër të diskutimeve pasi realizoi dy gola në triumfin e Portugalisë ndaj Uzbekistanit, ndërsa deklarata e tij se është “rikthyer” mori edhe një reagim nga Zlatan Ibrahimovic.

Pas paraqitjes së zbehtë në ndeshjen hapëse, ku Portugalia barazoi 1-1 me Republikën Demokratike të Kongos, tifozë dhe analistë në Portugali kishin kërkuar që sulmuesi 41-vjeçar të niste nga stoli.

Kjo çështje ishte kthyer në një debat të madh rreth rolit të Ronaldos te skuadra e drejtuar nga Roberto Martinez, por përgjigjja në fushë nuk vonoi.

Në takimin e dytë të Grupit K, Portugalia fitoi bindshëm 5-0 ndaj Uzbekistanit, me Ronaldon që shënoi dy herë dhe, të paktën për momentin, ua mbylli gojën kritikëve të tij.

Pas përfundimit të sfidës, Ronaldo u drejtua nga kamerat dhe deklaroi: “Jam kthyer, jam kthyer!”. Më pas ai shtoi: “Ata thanë se duhet të tërhiqem, por jam këtu. Gjithmonë ka zhurmë jashtë, por nuk mund ta kontrollojmë. Ne vazhdojmë dhe jemi të bashkuar”.

Për gjithë këtë situatë foli edhe Zlatan Ibrahimovic në një prononcim për mediumin Fox Sports.

“Ishte një ndeshje në të cilën Portugalia duhet të kishte qenë efikase dhe të kishte shënuar shumë gola”, u shpreh Ibrahimovic, përpara se të shtonte fjalinë që mori menjëherë vëmendje: “Nuk e di pse tha se u kthye. Mendova se nuk u largua kurrë”.

Një ditë më herët, Ibrahimovic kishte bërë koment edhe për paraqitjet e Lionel Messit. “Pesë gola në dy ndeshje, dhe unë nuk kam asnjë golë në dy Kupa Bote. E pabesueshme. Pa fjalë”, kishte thënë ai.

Promo