Gjatë debatit për raportin mbi funksionimin e institucioneve në Serbi, deputetja britanike dhe anëtarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alicia Kearns, mbajti një fjalim me tone të ashpra.
Ajo tha se mënyra se si një shtet i trajton vendet fqinje tregon qartë edhe mënyrën se si ai qeveris dhe vepron brenda territorit të vet.
Sipas Kearns, sjellja e një qeverie ndaj fqinjëve pasqyron mënyrën se si ajo ushtron pushtetin edhe mbi qytetarët e saj. Ajo solli si shembull Vladimir Putinin, duke thënë se agresioni jashtë vendit ka ardhur paralelisht me shtypjen e zërave kritikë në vend, dhe shtoi se i njëjti model po shihet edhe në Serbi. Ajo deklaroi se Serbia ka mbështetur personat e përfshirë në sulm, u ka ofruar strehim autorëve që qëndrojnë pas sulmit në Banjskë dhe, sipas provave, i ka armatosur ata. Sipas saj, këtë e dëshmojnë edhe numrat serikë të armëve të përdorura.
Ndërkaq, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar sot raportin “Funksionimi i institucioneve demokratike në Serbi”, ku vihet në pah se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është vendimtar për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Në raportin e hartuar nga raportuesit Victoria Tiblom (Suedi) dhe Yunus Emre (Turqi) theksohet se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa normalizimi i plotë i marrëdhënieve mbetet një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e saj në BE.
“Normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, mbetet një çështje serioze dhe është gjithashtu vendimtare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, theksohet në raport.
Miratimi i këtij raporti është bërë në kuadër të sesionit të verës 2026 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.


