Këtë të martë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u mblodh në “Shtëpinë e Futbollit”, ku në rendin e ditës u diskutuan disa çështje me peshë për futbollin shqiptar, që nga rishikimi i rregulloreve dhe formateve të garave, deri te projektet infrastrukturore.
Vendimi më i rëndësishëm i miratuar në këtë mbledhje lidhet me kampionatin “Abissnet Superiore”, formati i të cilit do të ndryshojë duke nisur nga sezoni 2026/2027. Sipas FSHF-së, ky hap synon të rrisë konkurrueshmërinë, të mbajë gjallë interesin sportiv përgjatë gjithë sezonit dhe të ndihmojë klubet shqiptare në përgatitjen për kupat europiane.
Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të luhet më me katër faza të rregullta, 36 javë dhe fazën “Final 4”. Në vend të këtij modeli, do të aplikohet një skemë me tre faza të rregullta, që përfshijnë në total 27 javë.
Pas mbylljes së këtyre tri fazave, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare. Para nisjes së play-off-it dhe play-out-it, pikët e mbledhura gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen.
Gjashtë ekipet e para në tabelë do të kalojnë në play-off, ku do të luajnë me sistem vajtje-ardhje në një total prej 10 javësh. Skuadra që e mbyll këtë fazë në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.
Katër skuadrat e pozicionuara nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të do të përfshihen në play-out. Edhe kjo fazë do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje-vajtje dhe do të ketë 9 javë garë.
Ekipi që do ta mbyllë play-out-in në vendin e fundit do të zbresë automatikisht në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, dy skuadrat e para të Kategorisë së Parë në fund të këtij sezoni do të ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.
Sa i përket Kategorisë së Parë, ekipet e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 do të luajnë në play-off sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre përballjeve do të ndeshen mes tyre në finale, ndërsa skuadra fituese e kësaj finaleje do të sigurojë ngjitjen në “Abissnet Superiore” për sezonin pasardhës.
Finalistja tjetër do të luajë një ndeshje finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Ekipi fitues i këtij dueli do të marrë të drejtën për të qenë pjesë e “Abissnet Superiore”.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm do të nisë nga sezoni 2027/2028, kur “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Me formulën e re, kampionati do të luhet në dy faza të rregullta, me 22 javë gjithsej.
Në fund të këtyre 22 javëve, skuadrat do të ndahen sërish në dy grupe sipas renditjes finale, ndërsa pikët e grumbulluara në fazën e rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së play-off-it dhe play-out-it.
Gjashtë ekipet e para do të vazhdojnë garën në play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje vajtje-ardhje për 10 javë. Skuadra që renditet e para në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028.
Nga ana tjetër, gjashtë skuadrat e gjysmës së poshtme të renditjes do të luajnë në play-out, po ashtu me sistem vajtje-ardhje dhe me 10 javë garë. Dy ekipet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës.
Skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë ndeshjen e play-off-it për mbijetesë ndaj fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë, ku marrin pjesë skuadrat e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6.


