Pas kritikave të adresuara ndaj Cristiano Ronaldos për paraqitjen në barazimin kundër Kongos në Kupën e Botës 2026, përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, e ka mbështetur edhe një herë sulmuesin veteran.
Vëmendja pas ndeshjes së parë të Portugalisë u përqendrua te Ronaldo, por Martinez nënvizoi se 41-vjeçari mbetet ende një element shumë i rëndësishëm në skuadër.
“Ai është sigurisht një lojtar me shumë përvojë dhe kjo na ndihmon. Është një shembull i shkëlqyer se si duhet të qëndrosh i fokusuar. Mënyra se si rikuperohet, mënyra se si përgatitet. Ai është një shembull i madh për ne”.
Tekniku spanjoll foli edhe për rolin taktik që Ronaldo ka në loja e Portugalisë.
“Ne jemi një ekip që dëshiron të kontrollojë posedimin e topit dhe ta rikuperojë atë sa më shpejt. Kur e kemi topin, na duhet personalitet dhe qartësi për të arritur te porta kundërshtare”.
Sipas Martinezit, skuadra ka nevojë për një futbollist që hap hapësira dhe pikërisht në këtë aspekt ai e konsideron Ronaldon më të mirin.
“Na duhet një lojtar që krijon hapësira. Dhe Cristiano është më i miri në këtë aspekt, këtë e tregojnë edhe statistikat. Ai është një ikonë. Këto lëvizje dhe krijimi i hapësirave janë pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë sonë”.
I pyetur për kritikat e vazhdueshme ndaj kapitenit portugez, trajneri e bëri të qartë se ndikimi i Ronaldos në grup mbetet shumë i madh.
“Ai është një shembull, është kapiteni ynë. Reagon si një kapiten. Ka një përvojë të jashtëzakonshme dhe ne mund ta shfrytëzojmë atë”.
Martinez theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një futbollist që prej 21 sezonesh i ka shërbyer kombëtares dhe që ende ka etje të madhe për përmirësim.
“Po flasim për një njeri që e ka mbrojtur dhe përfaqësuar kombëtaren për 21 sezone. Ai ka një uri të pabesueshme për t’u përmirësuar vazhdimisht dhe për të ndihmuar ekipin. Është model për të gjithë në dhomat e zhveshjes”, përfundoi Martinez.
Portugalia luan sot ndaj Uzbekistanit në sfidën e dytë të fazës së grupeve, duke synuar të bëjë një hap të madh drejt sigurimit të kualifikimit në fazën eliminatore.


