Declan Rice e krahason Harry Kane me Messin për peshën që kanë në Kupën e Botës

Declan Rice e krahason Harry Kane me Messin për peshën që kanë në Kupën e Botës

Lajme

Declan Rice dha një vlerësim të balancuar dhe disi befasues kur u pyet për figurat më të spikatura të turneut, ndërsa Anglia po përgatitet për përballjen ndaj Ganës.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, mesfushori i Arsenalit vlerësoi lart paraqitjet e Lionel Messit në Kupën e Botës 2026, duke e cilësuar si “të pabesueshme” formën që po kalon ylli argjentinas, teksa 38-vjeçari vazhdon të jetë një nga emrat që po tërheq më shumë vëmendje në turne.

Messi ka qenë i jashtëzakonshëm deri tani, me pesë gola të realizuar në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve për Argjentinën. Ai shënoi fillimisht një het-trik në triumfin 3-0 ndaj Algjerisë, ndërsa më pas gjeti rrugën e rrjetës edhe dy herë kundër Austrisë, duke u ngjitur kështu në krye të listës së golashënuesve të turneut.

Megjithëse vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te paraqitjet e Messit, Rice theksoi menjëherë se edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, meriton të vendoset në të njëjtin nivel për ndikimin e tij në Kupën e Botës, sidomos pasi realizoi dy gola në fitoren 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse.

“Për mua, natyrisht, do të them kapiteni im, Harry Kane. Është e pashmangshme ajo që bën ai me fanellën e Anglisë. Jemi shumë me fat që e kemi. Ai është kapiteni ynë”, ka thënë fillimisht Rice.

Megjithatë, mesfushori anglez u kujdes që të nënvizonte edhe madhështinë e asaj që po bën Messi në këtë Botëror.

“Nga ana tjetër, duhet të përmendësh edhe atë që Messi po bën në Kupën e Botës. Mendoj se është shumë e veçantë që po e shohim këtë. Ajo që ai po bën në moshën e tij është e pabesueshme”.

“Edhe si neutral, si tifoz dhe dashamirës i futbollit, si dhe si lojtar futbolli, është e pabesueshme ta shikosh atë”, përfundoi mesfushori anglez.

Promo